Google ADS

Sot vendoset fati i Saimir Tahirit, pritet votimi i Parlamentit për kërkesën e prokurorisë

08:22 | 25 Tetor 2017
Arbresh.info

Dita e stome është vendimtare për ish-ministrin Saimir Tahiri, pasi Parlamenti do të vendosë me votim të fshehtë nëse do t’i jepet leje Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e tij.

Deputetët më parë do të njihen me dy raportet e dala nga Këshilli i Mandateve, ku opozita në raportin e saj, pranon kërkesën për arrestimin e Tahirit.

Nga ana tjetër, duke theksuar se nuk ka prova që parlamenti të votojë pro arrestimit të Tahiri, mazhoranca përmes raportit të saj, u kërkon deputetëve që të hedhin poshtë këtë kërkesë.

Madje, në raportin e mazhorancës, thuhet se prokurorisë i hapet drita jeshile për kontrollin personal dhe të banesës për ish-ministrin, por kurrsesi për një masë kaq ekstreme siç është arrestimi i tij.

“Shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, e depozituar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë me shkresën nr. 9906, datë 19.10.2017 “Për dhënien e autorizimit për arrestimin dhe heqjen e lirisë së deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zotit Saimir Tahiri”, së bashku me relacionin përkatës të arsyetuar (nenet 13, 118 Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë).

Raporti i Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin (rekomandimi i shumicës parlamentare dhe rekomandimi i pakicës parlamentare)”, thuhet në njoftimin e bërë publik nga Kuvendi.

Çështja ‘Tahiri’ doli pak ditë më parë, pasi në Itali u shkatërrua grupi i trafikantëve të drogës, ku prangosën Moisi Habilaj dhe dy të tjerë nga Shqipëria.

Në përgjimet që kishte bërë prokuroria e Katanias për grupin në fjalë, përmendet edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Menjëherë, pas publikimit në media, për 48 orë, Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke u bazuar në përgjimet e autoriteteve italiane dhe mbi bazën e disa dëshmitarëve, iu drejtua Kuvendin në mënyrë zyrtare, për autorizim për arrestimin e Tahirit.

Pas dy ditësh diskutime në Këshillin e Mandateve, nuk u gjet gjuha e përbashkët mes opozitës dhe mazhorancës, të cilat dolën me dy raporte, ku në njërin kërkohej arrestimi, ndërsa në tjetër jepet autorizim vetëm për kontrollin e banesës dhe atë vetjak të deputetit.

Do të jetë Parlamenti, që përmes votimit të fshehtë do të vendosë se kush raport do të votohet, dhe nëse Saimir Tahiri do të arrestohet apo do të hetohet i lirë

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme