Sot samiti i BE-së në Tiranë

07:56 | 6 Dhjetor 2022
K.B

Për herë të parë, krerët e Unionit Europian do të lenë Brukselin, për të zhvilluar të parin samit të Këshillit Europian në Ballkanin Perëndimor.

Në Tiranë, gjatë të hënës dhe mëngjesin e të martës së 6 dhjetorit do të mbërrijnë plot 44 delegacione, ku veç liderëve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, do ketë dhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, politikë dhe financiarë, mes të cilave dhe Banka Botërore.

Samiti, më shumë sesa për produktin e tij final, është i rëndësishëm për mesazhin që jep për Shqipërinë. Me zhvillimin e tij në Tiranë, krerët e BE e konfirmojnë zyrtarisht vëmendjen strategjike për këtë pjesë të Ballkanit ku ndodhen gjashtë shtete me një histori të vështirë.

E kjo vëmendje strategjike konfirmohet dhe në draftin e dokumentit final, që do të miratohet të martën nga 27 liderët e BE dhe 6 liderët e Ballkanit Perëndimor.

“BE-ja rikonfirmon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian perspektiva e Ballkanit Perëndimor dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, bazuar në reforma të besueshme nga Partnerët dhe parimin e bazuar ne meritat, që është në interesin tonë të përbashkët”.

Diskutimi mbi pasojat në Europë të ndërhyrjes ruse në Ukrainë është një nga çështjet që do të marrë vëmendjen e liderëve. Në deklaratën finale, përveçse do të përshëndeten vendet që iu bashkuan BE në sanksionet ndaj Rusisë, do u kërkohet atyre vendeve në Ballkanin Perëndimor që s’e kanë bërë ende, ta ndërmarrin këtë hap.

“Ne përgëzojmë ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që janë tashmë duke demonstruar angazhimin e tyre strategjik në këtë drejtim dhe inkurajoni ata që nuk e kanë bërë, këtë të ndjekin këtë shembull”.

Po ashtu, çështja delikate e emigracionit dhe shtimit të shifrave të emigrantëve të paligjshëm që shkojnë nga Ballkani Perëndimor drejt vende të BE është po ashtu pjesë e axhendës së diskutimeve. Liderët e BE do të shkëmbejnë mendimet e tyre për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të emigracionit, përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit të emigrantëve të paligjshëm në vendet e origjinës.

“Për këtë qëllim, BE-ja ka rriti ndjeshëm mbështetjen financiare për rajonin me mbi 170 milionë euro asistencë dypalëshe dhe rajonale e ofruar tashmë në kuadër të IPA III”.

Pas suksesit që pati në rajon, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka arritur të bindë operatorët e kompanive telefonike, që dhe në hapësirën e BE dhe atë të Ballkanit Perëndimor, duke nisur nga 2023 të ulen tarifat për Roaming dhe gradualisht të shkohet drejt heqjen së tij përfundimtare. Marrëveshja pritet të nënshkruhet në nisje të Samitit të Tiranës./TVKLAN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme