Google ADS

Skandal në parukeritë e Tiranës, me mbushjen e buzëve dhe heqjen e rrudhave

01:42 | 21 Prill 2017
Trina Galanxhi

Fiks Fare risolli edhe një herë në vëmendje të publikut se si mashtrohen pacientët-klientë nga sallone bukurie, ku bashkë me lyerjen e thonjve dhe krehjen e flokëve u ofrohet edhe mbushja e buzëve me silikon dhe mbushja e rrudhave me botoks.

Injektimi i acidit hialuronik, fillersat dhe botoksit nga njerëz jo profesionistë dhe dëmi që shkaktojnë në fytyrat e klientëve është i pa rekuperueshëm. Në Fiks Fare mjekët profesionistë, flasin dhe denoncojnë këtë fenomen abuziv për të cilin ende nuk ka një bazë ligjore për ta goditur apo rregulluar.

Vitet e fundit dëgjojmë gjithmonë e me shpesh se në parukeri apo qendra estetike të ndryshme ofrojnë shërbime bukurie të estetikës kirurgjikale, që sipas mjekëve duhen bërë nga profesionistë. Por pavarësisht thirrjes së mjekëve asgjë nuk ka ndryshuar. Ankesat të ndryshme mbeten anonime dhe nuk denoncohen, pasi sot duket sikur rezultati i dalë keq është në modë. Fiks Fare bëri një vëzhgim në disa nga këto qendra estetike dhe parukeri të cilat ofrojnë të njëjtin shërbim – fryrje të buzëve, “fillers” të rrudhave apo mbushje dhe sistemim të vetullës.
Tek pallatet Agimi, në një qendër estetike bëhen nga një person që nuk është i pranishëm në qendër dhe nuk ka një emër, por që është mik i parukierës. Të bën fryrje te buzëve me botoks. Ndërhyrja zgjat disa minuta ashtu siç tregon edhe recepsionistja. Takimi lihet nëpërmjet telefonit, vetëm në rastet kur e ke vendosur që do ta bësh ndërhyrjen. Në një tjetër parukeri ofrohet një një tjetër mënyrë. Në buzë të injektohet një fillers i përhershëm (që nuk është i tretshëm). Kjo bëhet nëpërmjet një mpirjeje lokale, pa të sqaruar se çfarë është produkti që do të injektohet. Po këtë shërbim ta ofrojnë në një tjetër parukeri në zemër të bllokut. Pronarja sugjeron që ndërhyrja të bëhet nga një mikesha e vet. Sipas saj ajo realizon ndërhyrjen në buzë me një material të ngjashëm me silikonin, të cilin e cilëson si të përjetshëm. Mikesha nuk është mjeke, por e ka mësuar si procedurë në Peru. Ndërsa në një tjetër qendër pranë Komunës së Parisit këto injektime si me botoks, silikon apo acid hialuronik bëhen nga një mjek italian pa identitet, të cilin e gjen vetëm një hërë në muaj në qendër. Dhe kjo falë miqësisë që pronarja ka me mjekun italian, pasi siç ajo vetë shprehet mjeku i “famshëm” ka rreth 5 mijë klientë në Itali.

Denoncimi i mjekëve profesionistë

Procedura e injektimit të acidit hialuronik apo botoksit , duhet bërë nga mjekë të liçencuar, edhe pse ofrohet si shërbim për një çmim më të lirë diku tjetër që nuk është klinik . Fiks Fare intervistoi tre mjekë të kësaj fushe të cilët e dënojnë dhe denoncojnë këtë fenomen i cili është përhapur shpejt.

Sipas mjekës Erjona Shehu, dermatologe, rëndom këto ndërhyrje që quhen të vogla bëhen nga njerëz jo profesionistë. “Po flasim për individë që nuk ja kanë idenë se nga çfarë përbëhet lëkura, zona të caktuara të fytyrës etj. Pra janë njerëz jo kompetentë për aplikimin e këtyre produkteve. Na është dashur që në klinikat tona të kemi parë individë që kanë bërë ndërhyrje të mëtejshme kirurgjikale apo kanë marrë medikamente të tjera për të shmangur apo korrigjuar dëmet, që janë bërë në fytyrat e tyre nga njerëz jo profesionistë.”

Por në vende të tjera ka ligje që e rregullojnë këtë situatë, kurse tek ne ligji mungon. Doktoreshë Erjona dëshmon se në klinikat e tyre shumë shpesh vijnë paciente që kanë bërë një injeksion në një parukeri dhe nuk e dinë se çfarë produkti i është injektuar. Nuk marrin përgjigje as kur lidhen me personin që ja ka bërë ndërhyrjen. Thjesht përcillen vetëm me togfjalëshin : produkt italian apo amerikan.

Kirurgu plastik Dr. Vladimir Filaj sqaron për Fiksin se në klinikën e tij pacientët ka raste vijnë me deformime të mëdha nga buzët deri tek mollëzat apo vetullat.

“Injektimi i gabuar rrezikon të prekë enë apo nerva dhe mund të japë dëmtime shumë të renda. Në arterie apo në vena nuk mund të injektohet acidi hialuronik. Duke mos njohur anatominë e këtij regjoni, ku punohet arrihet në komplikacione shumë të rënda. Ajo që është me e rrezikshme dhe vëmë re nga klientët janë produktet që nuk janë të tretshme. Logjikisht duhet të futen në mënyrë të paligjshme” pohon doktori.

Sipas tij botoksi është i njohur botërisht dhe ka efekte të mrekullueshme, por nuk duhet harruar që është një toksinë. Gjatë injektimit nuk duhet të kalojë në overdozë, pasi ka efekte katastrofike. Mund të japë paralizë të nervit facial. Mund ta rrëzojë një vetull më poshtë dhe për korrigjimin e kësaj duhet të pritet deri tre -katër muaj, apo edhe gjashtë për të ndërhyrë.

Gazetarët iu drejtuan edhe Prof. Dr. Besim Boçi i cili është njëkohësisht edhe shef i shërbimit të ORL-së pranë QSUT-së. Doktori bën thirrje që pacientët duhet të informohen mirë përpara së të bëjnë një ndërhyrje në trupin apo fytyrën e tyre. Të informohen mirë mbi mjekun, historinë e tij si dhe të kërkojnë informacion të plotë për materialin që do injektojnë.

Mungesa e një baze ligjore

Në Fiks Fare u ngrit edhe problemi i mungesës së ligjit për këtë lloj shërbimi. Sipas mjekëve, persona abuziv janë duke përfituar pikërisht nga kjo mungesë ligjore për të ngrohur xhepat e tyre në dëm të klientëve. Kjo situatë e tillë kërkon një ndërhyrje të menjëhershme shprehen profesionistët. Në vendet e Evropës është e përcaktuar qartë së si funksionin ky shërbim, që nga lloji i produkteve të përdorura e të lejueshme e deri tek mënyra se si transportohen. Sipas mjekëve mjafton të merret në konsideratë një ligj i Bashkimit Europian dhe lehtësohet situata e krijuar në vendin tonë, sidomos në të mirë të pacientit.

Pagesat e shërbimeve në parukeri e qendra estetike

Mbushje buzësh me silikon : 200-300 euro

Mbushje rrudhash me silikon: 50-200 euro

Fryrje buzësh me acid hialuronik : 50-200 euro

Vetulla Tatu: 200 Euro

Ngritje vetulle :150 euro

Ngjyrosje buzësh: 150 euro

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme