Situata me zjarret në Shqipëri, në 24 orët e fundit regjistrohen 23 vatra, 19 prej tyre janë izoluar

12:00 | 27 Korrik 2024
K.B

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile është bërë i mundur izolimi i 19 vatrave.

Sot mbeten aktive vatrat në: Vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qendror dhe subjekte private.

Vatra e zjarrit në fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë, i cili ditën e sotme vijon me intensitet të ulët. Gjatë mbrëmjes së kaluar është bërë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në lagjet Shqut dhe Ish Kampi të këtij fshati.

Po në këtë bashki zjarri në fshatin Torovicë është drejt shuarjes përfundimtare. Po vijojnë operacionin strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga FA.

Është aktive vatra e zjarrit në fshatin Kameras, Bashkia Durrës për të cilin janë angazhuar ditën e djeshme kapacitetet e qarkut Durrës dhe Tiranë duke bërë të mundur shmangien e rrezikut për kalimin e zjarrit në sipërfaqe me pyll dhe ullinj shekullore. Sot janë angazhuar shërbimi zjarrfikës dhe forca vullnetare.

Zjarri në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë për të cilin ditën e djeshme kanë punuar Forcat e Armatosura, strukturat vendore të mbështetura nga një Helikopter I KFOR. Vijojnë edhe ditën e sotme operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit dhe shuarjen e tij.

Sakaq situata në bashkitë e qarqeve të tjera të vendit ditën e sotme paraqitet relativisht e qetë./abcnews.al/

Të ngjashme