Situata me zjarret, identifikohen 28 vatra, 665 forca operacionale në terren dhe një helikopter

20:06 | 11 Gusht 2024
E.G

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, bëri të ditur të dielën se në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 28 vatra zjarri.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 665 forca operacionale dhe 43 automjete, 99 trupa ushtarake, 14 mjete dhe helikopteri i Forcës Ajrore.

Sipas një njoftimi për shtyp, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren, është bërë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 9 vatrave, ndërsa 19 mbeten ende aktive.

Situata paraqitet problematike në fshatin Kostar të bashkisë Finiq, ku forcat operacionale me angazhimin edhe të helikopterit Cougar po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit, për të mos lejuar kalimin drejt fshatit Vllahat të bashkisë Delvinë.

Në ndihmë për shuarjen e zjarrit janë forca të shumta nga strukturat e pushtetit vendor të bashkive Sarandë, Himarë, Gjirokastër, Dropull dhe Konispol, të mbështetura nga efektivët e FA.

“Në fshatin Mërtiraj të bashkisë Selenicë situata është nën kontroll. Ndërsa në fshatin Bashaj, po në këtë bashki është riaktivizuar zjarri i rënë një ditë më parë në sipërfaqe me shkurre. Era e fortë që po fryn në drejtim të fshatit Mesaplik e bën të vështirë ndërhyrjen.”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në Parkun Kombëtar të Prespës, Mali i Thatë zjarri vijon të jetë aktiv, pasi terreni vështirëson shuarjen e plotë të tij.

Forcat vendore të bashkisë Pustec ndihmuar edhe nga 27 efektivë të FA po punojnë për ta mbajtur nën kontroll.

Kurse në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen të bashkisë Tropojë ka një vatër zjarri aktive në drejtim të Qafës së Kolçit, e cila është duke u monitoruar nga punonjës të pyjeve të bashkisë Tropojë.

“Në fshatin Kus është izoluar vatra e zjarrit në Malin Lugë, në njësinë administrative Bërzhitë. Vijon të ketë djegie në humus, por nuk paraqet rrezik për përhapje në sipërfaqe më të gjerë. Në fshatin Tërnovë të bashkisë Bulqizë, zjarri është aktiv në sipërfaqe livadhore dhe po përhapet drejt një sipërfaqe pyjore. Situata paraqitet problematike. Forcat në terren po punojnë për kufizimin e përhapjes së flakëve.”, njofton Qendra Kombëtare Operacionale.

Edhe në fshatin Selixë të bashkisë së Matit zjarri zhvillohet në tre vatra dhe po punojnë rreth 80 forca të bashkisë dhe Forcave të Armatosura.

Temperaturat e larta dhe era kanë rritur intensitetin e vatrave. Po punohet edhe në një vatër në fshatin Maqellarë të bashkisë së Dibrës.

Kurse në vendin e quajtur “Bjeshkët e Xhurajve”, në bashkinë e Shkodrës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore në terren të thepisur dhe të vështirë për të operuar. Zjarri po monitorohet nga strukturat vendore të kësaj bashkie dhe nuk paraqet rrezik për banesa.

“Në fshatin Halil të bashkisë së Krujës është riaktivizuar një vatër zjarri. Terreni i vështirë si dhe prania e erës vështirëson ndërhyrjen e forcave. Zjarri i rënë në fshatin Skuraj të bashkisë së Kurbinit po zhvillohet me intensitet të ulët. Në afërsi të stacionit të trenit në Milot, në bashkinë e Kurbinit, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse të bashkive Kurbin e Lezhë, duke bërë të mundur largimin e rrezikut nga objektet e banimit.”, theksohet në njoftimin për shtyp.

Mbi fshatin Sotirë në bashkinë e Dropullit zjarri ka kaluar në kurorën e pishave. Helikopteri Cougar i FA është angazhuar në këtë operacion veç zjarrfikësve të bashkisë Dropull, forcave vullnetare dhe 30 forcave të FA.

“Në fshatin Luzat të bashkisë Tepelenë, në fshatin Karat të bashkisë Këlcyrë si dhe midis fshatrave Bogovë dhe Dobrushë të bashkisë Skrapar janë raportuar vatra zjarri, në të cilat po punohet nga efektivët zjarrfikës për shuarjen e tyre.”, përfundon njoftimi për shtyp.

/rtsh.al/

Të ngjashme