Google ADS

Situata ekonomike, Ahmetaj: Shqipëria humbi 28 milionë euro nga rënia e euros

08:30 | 7 Korrik 2018
Arbresh.info

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, zhvilloi dje një konferencë mbi zhvillimet e fundit ekonomike në vend, ku tha se ka besim tek rritja ekonomike. Ai tha se ekonomia shqiptare ka humbur më shumë se 28 milionë euro nga rënia e euros.

Ekonomia shqiptare ka humbur më shumë se 28 milionë euro nga rënia e vlerës së euros. Megjithatë, kjo ka ndikuar pak në eksportet.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, zhvilloi dje një konferencë për shtyp mbi zhvillimet e fundit ekonomike në vend, ku tha se vijon besimi tek rritja ekonomike. Këtë e konfirmon fakti që, për tremujorin e parë të 2018-s, sipas INSTAT-it, Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi një rritje prej 4.45%, ku kontributin kryesor e dha energjia.

Eksportet

Duke iu referuar të dhënave statistikore, ai tha se eksportet u rriten 18.4%. “Këtë kemi parë në muajt e fundit. Megjithë lëvizjen në kursin e këmbimit, eksportet janë rritur, që do të thotë se eksportet kanë rritur produktivitetin dhe kemi një rritje 7% të importeve. Me gjithë goditjen që kanë marrë nga luhatjet e kursit të këmbimit” – shtoi ministri. “E vetmja goditje negative në të ardhurat buxhetore është kursi i këmbimit. Kjo goditje llogaritet në masën 3.6 miliardë lekë”, shtoi ai.

Eurobondi

Pyetjes nëse ka ndonjë lidhje mes ecurisë së të ardhurave në buxhet me atë që u vendos të dilet në tregjet botërore të kapitaleve me një eurobond 500 milionë euro, ministri u përgjigj: “Ne kemi bërë një analizë për nevojat e financimit dhe shtrirjes së nevojave ekonomike. Ne duam të kemi një shtrirje në treg, po bëjmë një menaxhim borxhi të kujdesshëm”.

Reformat

Ahmetaj u ndal edhe tek efekti që ka pasur përfshirja e biznesit te vogël në skemën e TVSH-së, ku, nga të gjitha studimet e ekspertëve për ndryshimin e çmimeve, është vënë re se indeksi i çmimeve për njësitë tregtare të marra në studim nuk është ndikuar nga përfshirja e tyre në skemën e TVSH, tha ai. Prej datës 1 prill, të gjitha bizneset që kanë një xhiro vjetore më të madhe se 2 milionë lekë janë të përfshirë në skemën e TVSH-së. Përpara 1 prillit, pragu për përfshirjen në skemën e TVSH ishte një xhiro vjetore më e madhe se 5 milionë lekë.

Një tjetër pikë që preku kreu i Financave ishte edhe rritja e numrit neto të bizneseve në vend. “Rritja e bizneseve neto, sipas statistikave zyrtare, pra bilanci sa u krijuan dhe sa u mbyllën, tregon që ka një rritje për periudhën janar- qershor prej 7 mijë biznesesh të reja”, përfundoi ministri Ahmetaj.

“Indeksi i çmimeve mbetet i paprekur nga skema e zgjerimit të skemës së TVSH-së. Me TVSH-të kemi bërë lëvizjen pozitive. Nga reformat e fundit, 91% e sipërmarrjeve u është ulur tatimfitimi, e kanë 0%-5%”.

BE

Në korrik fillon skanimi i Shqipërisë nga ana e ekspertëve evropianë, thë më tej kreu i Financave. “Ekonomia shqiptare do t’i ndjejë efektet shumë pozitive të nisjes së negociatave dhe për këtë jam i sigurt. Por kjo nuk është fitore apo arritje e një qeverie; kjo i takon të gjithë popullit”, tha Ahmetaj./shqiptarja

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme