Polonia e konsideron Shqipërinë një aleat të çmuar, ndaj për këtë arsye, vizitën e parë ministri i Jashtëm polak Radoslav Sikorski e bëri në Tiranë, përpara marrjes së Presidencës 6-mujore të Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për Radiotelevizionin Shqiptar ai tregoi edhe mesazhin e qartë dhe pritshmëritë nga Shqipëria në raport me integrimin.
“Jam në Shqipëri sepse ne vlerësojmë qartësinë morale të Shqipërisë në raport me agresionin rus në Ukrainë. Ne vlerësojmë sinkronizimin e politikës së jashtme shqiptare me atë të Bashkimit Evropian, por gjithashtu edhe përpjekjet e mëdha që Shqipëria ka bërë në rrugën e integrimit evropian. Si udhëheqës i Presidencës së ardhshme të Bashkimit Evropian doja ta shihja me sytë e mi progresin e bërë nga Shqipëria, por edhe t’ju thosha se ne shpresojmë që të hapim një tjetër grup-kapitull me ju gjatë Presidencës sonë”, u shpreh ministri Sikorski.
Radoslav Sikorski nuk harron të tregojë se ka mundësi bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve, por edhe të bëjë të qartë se si e sheh ai Shqipërinë dhe aspiratën e saj europiane.
“Ju jeni një aleat i mirë yni në NATO, ju jeni tani vendi lider i procesit të anëtarësimit. Disa vite më parë ishit në fund të rreshtit, ndërsa tani jeni në ballë të tij”, shtoi ai.
Sikorski, një ish-gazetar, ka mbajtur më parë detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Polonisë dhe aktualisht është kryediplomat i saj dhe një nga zërat më të fortë kundër agresionit rus në Ukrainë.
“Ukraina dhe Rusia janë dy vende fqinj të Polonisë, por jemi i vetmi vend me një specifikë të tillë. Ne kemi ristartuar prodhimet tona ushtarake dhe të gjitha vendet evropiane duhet të bëjnë të njëjtën gjë, dhe me sa kuptova edhe Shqipëria po e bën një gjë të tillë, dhe një herë jemi aleatë”, tha Sikorski.
Kryediplomati polak theksoi se turistët polakë e pëlqejnë shumë Shqipërinë.
“Ne kemi eksperiencë të përbashkët në komunizëm, por edhe para komunizmit gjeologë polakë kanë ndihmuar në zbulimin e vendburimeve të naftës në Shqipëri. Por, sidomos turistët polakë pëlqejnë dhe vlerësojnë Shqipërinë dhe unë shpresoj se kjo do të vazhdojë. Ata fillimisht vijnë si turistë më pas blejnë apartamente dhe vendosin të bëjnë biznes, dhe mendoj se ky është qarku i zhvillimit”, tha Sikorski./rtsh.al
Sulmi në Gjermani, Rama: Shqipëria solidarizohet me Gjermani...
Sulmi në Gjermani, njëri nga të vrarit thuhet se është fëmij...
Mërgimtarët po vijnë, kjo është situata në pikat kufitare
Sulmi në Magdeburg, Haradinaj: Jemi pranë popullit gjerman n...
Falafel, një zgjedhje e shkëlqyer për një drekë të shëndetsh...
Kush është i dyshuari që shkaktoi tragjedinë në Magdeburg – ...