Fushatat e sofistikuara në mediat sociale tërheqin të rinjtë nga zonat e thella rurale, duke i bërë ata që të ndërmarrin një udhëtim të rrezikshëm, raporton Financial Times.
Fatlumi, një elektricist 60-vjeçar që jeton në qarkun e Kukësit, në malet e Shqipërisë veriore, është mirëkuptues për të rinjtë vendas që kanë provuar fatin duke kaluar ilegalisht Kanalin Anglez, për një të ardhme të pasigurt në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ata kanë të afërm atje,” tha ai në një kafene buzë rrugës, me pamje nga luginat me tarraca ku nuk ka shumë mundësi për punësim, përveç punëve në bujqësi që paguhen keq. “Ata shkojnë për punë të ndershme. Vetëm personat me familje jo të rregullta mund të përfundojnë me bandat e drogës.”
Ka një mungesë të dukshme të të rinjve 20-vjeçarë në Kukës dhe pothuajse të gjithë njerëzit në këtë rajon duket se kanë disa të afërm në mesin e rreth 150,000 shqiptarëve që mendohet se jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e një eksodi kombëtar që është rritur më shumë këtë vit.
Sipas shifrave të qeverisë së Mbretërisë të Bashkuar, numri i shqiptarëve që mbërrinin ilegalisht përmes Kanalit u rrit me 43 për qind midis periudhës maj-shtator të këtij viti. Suella Braverman, Sekretarja e Brendshme, e quajti këtë valë një “pushtim” dhe i përshkroi shumë prej emigrantëve si “kriminelë”, deklaratë e cilla solli një përgjigje të zemëruar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Të ndodhur në një udhëkryq mes grekëve, turqve dhe sllavëve, shqiptarët kanë një traditë të emigrimit e cila daton që shekuj më parë. Kohët e fundit, një brez i tërë mori rrugët në vitet 1990, pas disa dekadash me varfëri ekstreme dhe të izoluar nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Kjo u pasua nga një tjetër eksod i shqiptarëve që u larguan për shkak të vështirësive ekonomike, pastaj nga një tjetër largim i shqiptarëve etnikë që iknin nga lufta në Kosovën fqinje rreth vitit 2000. Sipas INSTAT, instituti shqiptar i statistikave, rreth një e treta – ose 1.7 milion – e të gjithë shqiptarëve tani jetojnë në diasporë.
Për ata që mbeten në këtë vend, paga mesatare mujore është 60 mijë lekë ose 450 paund në muaj, sipas INSTAT. Megjithatë, në zonat e thella rurale si Kukësi, pagat mund të jenë shumë më të ulëta se kjo mesatare dhe pjesa më e madhe e njerëzve arrijnë t’ia dalin mbanë përmes punëve shtesë që nuk pasqyrohen në statistikat zyrtare.
Fatlumi, i cili nuk pranoi të jepte emrin e tij të plotë, mbijeton duke u kujdesur për shtëpitë e tre vëllezërve të tij që punojnë në Londër – dy si elektricistë dhe një si shofer autobusi. “Autobusët e mëdhenj dykatësh në ngjyrë të kuqe”, thotë ai teksa nxjerr një shishe plastike me raki nga bagazhi i BMW-së së tij, e cila ka targa të Mbretërisë së Bashkuar.
Kontrasti midis mundësive ekonomike në luginat e largëta si Kukësi dhe të atyre që ofrohen në Mbretërinë e Bashkuar është i madh, tha Edval Zoto, një konsulent i pavarur që po drejton një program të ri të financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në rajon.
“Situata në Kukës është në një pikë vendimtare,” shpjegoi ai. “Institucionet po bien. Shkollat e ndërtuara për 300 fëmijë, tani kanë vetëm 50 nxënës. Vendet e punës po zhduken, ashtu si edhe mbështetja për sigurinë e familjeve. Universiteti i Tiranës mbylli degën e tij lokale. Nuk ka trajnime për karrierën, nuk ka vizion për të vazhduar jetën këtu.”
Ai shtoi se të rinjtë e rajonit tundohen nga modeli i botës ku paratë fitohen lehtë, siç portretizohet nga trafikantët duke përdorur imazhe dhe video tërheqëse në një fushatë të sofistikuar në mediat sociale të tilla si Instagram dhe TikTok.
“Nga këndvështrimi i Shqipërisë veriore rurale, Londra është një vend jashtëzakonisht i pasur… dhe ata konsumojnë shumë drogë,” tha Zoto, duke shtuar se prindërit e kësaj zone janë të tmerruar se djemtë e tyre mund të tërhiqen nga bandat e drogës.
“Shoqëria shqiptare është e habitur nga ato video në TikTok,” tha ai. “Ato reklamojnë krimin.”
Programi i financuar nga Mbretëria e Bashkuar, me vlerë 8.3 milionë paund përgjatë katër viteve, synon të kundërshtojë fushatat e bandave në mediat sociale, si dhe të ndihmojë të rinjtë vendas që të punësohen në bizneset shqiptare. Kjo përfshin zhvillimin e turizmit lokal duke trajnuar punonjësit e ndihmës së shpejtë për aksidentet që mund të ndodhin gjatë turizmit malor dhe guidat turistike, hapjen e qendrave të informacionit për turistët dhe krijimin e një qendre rinore ku të rinjtë mund të mësojnë gjuhët e programimit dhe aftësi të tjera kompjuterike.
Në planin afatshkurtër, megjithëse dimri mund të ngadalësojë ritmin e emigracionit, ekspertët vendas presin që shifrat do të rriten përsëri vitin e ardhshëm.
Ndërsa dikur, kjo ishte një procedurë e shtrenjtë që kushtonte deri në 20,000 £, duke përfshirë prodhimin e dokumenteve të rreme, ryshfete të punonjësve të doganës dhe fluturime me avion ose udhëtime në kamionë, këtë vit, kostoja e vajtjes në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë në rreth 5,000 £ pasi kontrabandistët po përdorin operatorët e varkave të vogla afrikano-veriore në Kanal. Kjo e bërë akoma më tërheqës ndërmarrjen e këtij itinerari.
Në një video të kohëve të fundit, Alastair King-Smith, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, u bëri thirrje shqiptarëve që të mos u besonin trafikantëve. “Ajo që po ju tregohet në mediat sociale nuk është realiteti… Mos shkoni atje ilegalisht”, tha ai.
Kryeministri i Shqipërisë, i cili kundërshton vlerësimet nga Britania për numrin e shqiptarëve që kalojnë ilegalisht kanalin, tha në një intervistë për Financial Times se ai ka diskutuar lidhur me mënyrat se si mund të goditen bandat e drogës me qeveritë e njëpasnjëshme britanike, por propozimet e tij nuk janë ndjekur kurrë.
“Që në kohën kur Boris Johnson ishte Sekretar i Jashtëm, ai më foli për çështjen e krimit shqiptar në Londër”, tha Rama. “I thashë, në rregull. Sillni gjashtë profesionistë nga agjencitë tuaja në Tiranë. Ne do t’i vendosim ata në një zyrë me gjashtë nga njerëzit tanë dhe do t’u japim akses të plotë në të gjitha dosjet tona kriminale.”
Ai shtoi se ky propozim i është bërë edhe Theresa May, e cila atëherë ishte kryeministre, edhe Priti Patel, ish Sekretare e Brendshme, por grupi i përbashkët i punës nuk u formua kurrë.
“Me vetëm agjentë të fshehtë në Kukës, mund të kuptosh se kë duhet të telefonosh, kush janë ata që presin nga ana tjetër”, tha ai. “Nëse do të kishim britanikët këtu bashkë me ne, do të ishim në gjendje të kuptonim si funksionon trafiku. Nuk po flasim për miliona refugjatë. Ky është një komunitet i vogël.”
Megjithatë, gjatë mandateve të Ramës në pushtet, bandat shqiptare kanë vazhduar të avancojnë traditën e tyre të disa dekadave për kultivimin dhe eksportin e kanabisit, duke krijuar një rrjet të fuqishëm global të trafikut të lëndëve narkotike, sipas një raporti nga Departamenti i Shtetit në SHBA.
“Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të jashtëzakonshëm në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe në rrjetet e krimit të organizuar. Shqipëria është një element kyç i rrugëve të Ballkanit për trafikun e drogës drejt Europës Perëndimore dhe Mbretërisë së Bashkuar,” sipas raportit.
“Sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë shtytësit kryesorë të problemit për kontrollin e drogës në Shqipëri”, shkruhet në raport.
Rama i hedh poshtë këto akuza, por Partia Demokratike e opozitës shqiptare akuzon kryeministrin se ka ndërtuar një regjim të korruptuar dhe autokratik gjatë nëntë viteve të tij në pushtet, duke i lënë shqiptarët mesatarë me shumë pak mundësi për të ecur përpara dhe duke i shtyrë kështu që të largohen nga vendi.
Një tubim i thirrur nga kjo parti përpara zyrës së Ramës për të protestuar kundër korrupsionit, varfërisë dhe emigracionit, tërhoqi dhjetëra mijëra njerëz ditën e shtunë.
Aldo Bumçi, ish Ministri i Jashtëm dhe i Drejtësisë i Partisë Demokratike, akuzoi Perëndimin se po mbyll sytë ndaj shkeljeve ligjore të Ramës, sepse Shqipëria është një aleate besnike e Perëndimit në një rajon ku ka destabilitet.
“Rama ka para, ai nuk mund të mposhtet dhe ndërkombëtarët nuk thonë asgjë”, tha Bumçi. “Kjo është arsyeja pse njerëzit po largohen në këto shifra marramendëse.”
Funksioni i ri i AirPods të Apple mund të ndihmojë njerëzit ...
Në podcast me Toni Kroos, Klopp i ashpër me deklarata për Ra...
Drenusha: Në Big Brother hyra për fëmijët e mi
SHBA-ja thotë se afër 8.000 trupa koreanoveriore janë në kuf...
Krijimi i “Shtetit Bektashi”, Rama: Po ta kisha unë në dorë ...
Forca e lëngjeve bimore për një lëkurë të shëndetshme