Google ADS

Si u pajis me pasaportë false porositësi i vrasjes së komisarit Artan Cuku

00:54 | 6 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Kanë dalë në dritë të tjera detaje në lidhje me skandalin e pasaportave false në Greqi. Nga ky grup që u siguronte identitete të reja kriminelëve duket se ka përfituar edhe Bledar Jambelli i njohur edhe si Rikardo Muho, i akuzuar nga drejtësia shqiptare si porositësi i vrasjes së komisar Artan Cuku.

Gazeta greke “Kathimerini” shkruan se Jambelli kishte siguruar në Xania një kartë identiteti dhe pasaportë greke në emrin Xristos Xamkidis.

Rikardo Muho, që për policinë greke, e kishte të shtrirë veprimtarinë kriminale në Spanjë dhe Greqi, është marrë në pyetje në prill 2020 nga policia greke ku ka dhënë informacion lidhur me grupin kriminal të falsifikatorëve. Shkaku që Muho u thirr ishte fakti që me identitetin e rremë, pjesëtarë të grupit kishin hapur nipt për një kompani të përfshirë në kontrabandë cigaresh. Sipas tij, ai kishte paguar 35 mijë euro për të ndërruar identitetin dhe këtë e kishte bërë me qëllim që mos të ekstradohej në Shqipëri, por të qëndronte pranë familjarëve të tij që ndodhen në Greqi.

“Muho në atë kohë ishte ende në qeli, i akuzuar si porositës i vrasjes së oficerit të policisë, Artan Cuku”, – thuhet në artikullin e sotëm të gazetës greke “Kathemerini”, cituar nga BalkanWeb. Deri në arrestimin e tij në 2018, Muho jetonte në Athinë me kartë identiteti dhe pasaporte me emrin Xristos Xamkidis që ishin siguruar për 35 mije euro.

Nga hetimet e kryera nga Policia shqiptare dyshohet se Jambelli ka porositur vrasjen e komisar Cukut, ngjarje e ndodhur më 8 prill 2017. Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë ku u qëllua me 5 plumba. Nga hetimi rezultoi se motivi i krimit lidhet me arrestimin e Jambellit në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.

Jambelli u shpall në kërkim ndërkombëtar më 13 qershor 2017, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi masën e sigurisë Arrest me burg, për veprën penale “Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim. 20 muaj pas krimit, Greqia vendosi që mos ta ekstradonte atë drejt shtetit tonë./lapsi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme