Më 26 shtator 2016, Arbër Denizi – magazinier i kompanisë shtetërore “Hekurudha Shqiptare” u bë strumbullar i krijimit të një kompanie të re me fushë të gjerë veprimi; nga import-eksporti i ushqimeve tek inertet dhe transporti.
Kompania u quajt Pivot-04 dhe ndonëse qe jetëshkurtër, rezultoi shumë e suksesshme.
Mes 28 shtatorit 2016 dhe 31 janarit 2017, Pivot-04 i faturoi dy kompanive ‘Albtek Energy’ dhe ‘Integrated Technology Services’ 160 milionë lekë punime, ndërsa këto dy kompani i transferuan asaj në llogarinë bankare 214 milionë lekë [gati 2 milionë euro].
Mbi 171 milionë lekë nga këto të ardhura u transferuan më pas në kompaninë Sucralba që administrohej nga vëllai i ish-ministrit Koka, përmes faturave që shënonin: “oriz” ose “sheqer”. Me të mbaruar transfertat, në vitin 2018, të dyja kompanitë, Pivot-04 dhe Sucralba deklaruan pezullim të aktivitetit.
Pivot-04 ishte një nga shtatë kompanitë e vogla, ekzistuese apo të sapokrijuara, të cilat Prokuroria e Posaçme, SPAK i ka identifikuar si instrumente të transferimit të parave nga kompanitë e inceneratorëve te xhepat e familjarëve të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Sipas vendimit gjyqësor mbi masën e sigurisë, të shtatë kompanitë e lidhura me Kokën i faturuan kompanive të inceneratorëve në Elbasan dhe Fier si dhe kompanisë mëmë Integrated Technology Services, ITS, mbi 460 milionë lekë ose 3.7 milionë euro në total.
SPAK pretendon se këto para përfunduan në xhepat e familjes Koka në një skemë aspak të komplikuar korrupsioni, që ndonëse u zhvillua tërësisht brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, u hëngri gjithsesi institucioneve shtetërore katër vjet për ta zbardhur.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor me akuzat e ‘shpërdorimit të detyrës’, ‘korrupsionit pasiv’ si dhe ‘pastrimit të produkteve të veprës penale’ gjatë procedurave për dhënien e koncesionit në favor të kompanisë “Albtek Energy” në Elbasan dhe përfitimeve të padrejta financiare.
Dy pronarët e kompanive të lidhura me inceneratorët, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto u akuzuan gjithashtu për ‘korrupsion aktiv’ dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, por ata gjenden në arrati.
Në vendimin gjyqësor për masën e sigurisë së Kokës, SPAK thotë se është në gjendje të provojë se të shtata kompanitë u regjistruan në emër të personave me lidhje miqësore apo punësimi me familjen Koka dhe pavarësisht faturave marramendëse ndaj kompanive të inceneratorëve, nuk kishin aktivitet real biznesi.
Sipas SPAK, operacionet financiare për transferimin e 3.7 milionë eurove u kryen nga ‘e njëjta dorë’.
Ish-ministri Lefter Koka u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat në gjykatë, ndërsa avokati i tij, Fatmir Braka deklaroi për mediat se nisja e procesit hetimor ka qenë politik.
‘E njëjta dorë’
Të dhënat e tre koncesioneve të trajtimit të mbetjeve urbane.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK i nisi hetimet për tre koncesionet e inceneratorëve në vitin 2020, pas dy kallëzimeve penale të dorëzuara nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Megjithatë, hetimet avancuan vetëm për koncesionin e Elbasanit.
Sipas hetimit të kryer nga SPAK, për transferimin e parave të taksapaguesve drejt ish-ministrit Lefter Koka u përdorën përveç Pivot -04 edhe kompanitë Sh.Sh., Deto, Belar Inert, Sili, J.P.Y dhe R.B –Ital Beton.
Tre prej tyre ndajnë të njëjtën adresë, ndërsa gjashtë prej kompanive kanë objekte veprimtarie pothuajse identike.
Krahasimi i akteve të regjistrimit të këtyre kompanive në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregon se kompanitë Sh.Sh., Deto, Belar Inert, Sili, Pivot-04 dhe Y.P.Y. kanë objekt veprimtarie: “Prodhim, perpunim, transport, magazinim, tregtim me shumice e pakicë, brenda dhe jashtë vendit për import dhe eksport të inerteve të ndryshme…,’; fjali e kopjuar identike për të gjashta.
Ndërkohë, kompanitë J.P.Y., SILI dhe Sh.Sh., kanë të treja adresën: “Lagjja nr. 18, Rruga Aleksander Goga, Godina nr. 8556”, në Durrës.
Përveç këtyre përkimeve, kërkesa e SPAK për masat e sigurisë në gjykatë nënvizon se në fakt, firmat e faturave të lëshuara nga shtatë prej kompanive janë shkruar nga ‘e njëjta dorë’ pasi shënimet me dorë të numrave të sasisë dhe përshkrimi i mallit kanë ngjashmëri më njëri-tjetrin. Sipas konkluzioneve të prokurorisë, disa fatura me palë blerëse shtetasen Stela Gugallja, aktualisht në arrati dhe kompanitë e tjera si shitëse duket se janë firmosur nga i njëjti person si për blerësin ashtu edhe për shitësin.
Prokuroria ka kryer gjithashtu ekspertim të shkrimeve për të vërtetuar këtë dyshim.
“Nga analiza e aktit të ekspertimit grafik provohet se shoqëritë “Pivot 04”, “Sili”. Bellar Inert” (Bio Blend Fruit), “J.P.Y”, “Deto”, “R.B. – Ital Beton” (R.B-General Servis) dhe “SH.SH”, kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe faturat janë shkruar dhe nënshkruar nga i njëjti person. Pra, duket se këto shoqëri i menaxhon dhe i shërbejnë të njëjtit person,” shkruhet në konkluzionet e prokurorisë.
Lidhje miqësore
Nga inaugurimi i inceneratorit të Elbasanit. Foto: Facebook.
Nga inaugurimi i inceneratorit të Elbasanit
Skema e përvetësimit të parave publike nga ish-ministri Lefter Koka sipas SPAK, përfshiu një numër të konsiderueshëm bashkëpunëtorësh, miq të tij, punëtorë të kompanive të tjera të familjes apo shokë të të birit.
Përgjatë kohës kur kompanitë nominalisht në emër të tyre lëshonin fatura me shifra marramendëse për kompanitë e inceneratorëve, personazhet e skemës ishin zyrtarisht të punësuar në punë të tjera.
Ndërkohë, disa persona të prezantuar nga kompanitë fantazmë si të punësuar prej tyre, kanë mohuar para prokurorëve të kenë qenë të punësuar apo të kenë pasur dijeni për punësimin në këto kompani.
Sipas hetimit të prokurorisë, Arbër Denizi, pronari i kompanisë Pivot-04, ka punuar si magazinier në hekurudhë me pagë 28 mijë lekë, ndërsa miqësia e tij me Arbi Kokën vërtetohet sipas hetimit me udhëtimet e tyre të përbashkëta jashtë vendit.
I pyetur nga prokurorët, Driza ka thënë se ka dërguar materiale inerte në Elbasan pavarësisht se nuk ka pasur mjete në pronësi. Ai u ka thënë prokurorëve se dërgimin e inerteve te incineratorët e ka kryer duke marrë mjete nga banorë të zonës, por se nuk ishte në gjendje të mbante mend ndonjë emër të tyre. Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk i njihte “dy punonjësit’ e kompanisë së tij.
“Në kohën që pretendohet se shoqëria “Pivot 04” ushtronte aktivitet tregtar dhe në kohën kur shoqëritë tregtare Albtek Energy dhe ITS transferonin shumat monetare të konsiderueshme në drejtim të shoqërisë Pivot 04, si dhe në kohën që Pivot 04 bënte “blerje” nga shoqëria Sucralba, Arbër Denizi vijonte të ushtronte detyrën e magazinierit,” vëren prokurori Klodian Braho.
Kompania tjetër, SILI, drejtohej nga shtetasi Silvester Driza. Verifikimet e prokurorisë kanë zbuluar se ai ka punuar si punëtor në hekurudhë dhe më pas në Autoritetin Portual të Durrësit edhe gjatë kohës kur kompania e tij faturonte qindramijëra euro punime në tre kompani të incineratorëve, Albtek, ITS dhe Integrated Technology Waste Treatment Fier.
Sili, kompani e cila përshkruhet nga prokurorët si pikë shumice për shitje sheqeri, i ka transferuar paratë e marra nga inceneratorët te kompania Wind Co, e cila është nën pronësinë e bashkëshortes së ish-ministrit të Mjedisit, Brunilda Koka. Mënyra e transferimit është shitblerja e pronave të patundshme.
Një tjetër person, Ardian Bello, zyrtarisht pronar i Bellar Inert, kompanisë që i faturoi Albtek gjysmë miliardi lekë punime, rezulton që nga viti 1980, punëtor në Hekurudhë me pagë 30 mijë lekë në muaj.
Prokuroria thotë se këta dhe persona të tjerë, pronarë të kompanive fiktive kanë një gjë të përbashkët: njëri ka lidhje miqësore me Lefter Kokën dhe të tjerët me djalin e tij, Arbi Koka. Lidhja e tyre miqësore vërtetohet nga prokuroria për shkak të regjistrimeve të sistemit TIMS, ku rezulton se kanë udhëtuar shumë herë jashtë Shqipërisë nën shoqërinë e njëri-tjetrit.
Prokuroria nuk ka marrë të pandehur deri më sot askënd tjetër përveç ish-ministrit Koka si dhe shtetases Stela Gugallja, pronare e kompanisë “Albtek Energy” të inceneratorit të Elbasanit dhe Klodian Zotos, pronar i ITS – persona që u shfaqën nga asgjëja gjashtë vite më parë për të përfituar me propozim të pakërkuar tre koncesione të mëdha për trajtimin e mbetjeve urbane në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e kompanive Albtek Energy dhe ITS, por nuk ka bërë të ditur se çfarë ka ndër mend të bëjë me dy kompanitë e tjera të inceneratorëve, Integrated Techonology Waste Treatment Fier dhe Integrated Energy B.V SPV./birn/
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...