Si i shpëtoi izolimit djali i Luiza Xhuvanit

22:17 | 9 Shkurt 2019
Trina Galanxhi

Në prill 2014 Kostandin Xhuvani u akuzua për një konflikt me armë në qendër të qytetit të Gjirokastrës.

Sipas policisë Xhuvani që ishte njohur nga dëshmitarët pas një konflikti të çastit kishte qëlluar me armë ndaj një personi të tretë.

Policia referoi çështjen në prokurori, por ai paraqiti dokumente se atë ditë 25 prill 2014, kishte qenë në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, ku kishte kërkuar ndihmë mjekësore pas konsumimit të tepërt të alkoolit. Alibia u mbështet edhe nga drejtuesi i spitalit në atë kohë. Emri i Xhuvanit po ashtu u gjet në librin e konsultave  të spitalit.

Prokuroria që tha se hetoi çështjen vendosi në tetor 2014 të pushonte hetimet. Ajo arsyetoi pushimin e hetimeve me faktin se alibia ishte e qëndrueshme dhe mbështetej nga një dokument zyrtar si rregjistri i vizitave të spitalit.

Një muaj pas pushimit të hetimeve nga prokuroria për akuzën e kanosjes, Kostandin Xhuvani vrau 4 persona në një lokal në Tiranë. Vrasja e katërfishtë për të cilën ai është dënuar me 35 vjet burg riktheu në skenë historinë e kanosjes në Gjirokastër.

Opozita akuzoi qeverinë se kishte mbrojtur djalin e atëherë deputetes së Partisë Socialiste i cili ishte dënuar më parë për vrasje në kushtet të vetëmbrojtjes. Opozita pretendonte se Xhuvani ishte në kërkim policorë dhe se po të ishte arrestuar vrasja e katërfishtë mund të ishte ndaluar.

Qeveria përgënjeshtroi akuzat. Prokuroria reagoi duke publikuar rregjistrin e konsultave të Spitalit Psikiatrik dhe pushimin e çështjes për të provuar se Xhuvani, që i ishte lakuar emri edhe gjatë operacionit të policisë kundër drogës në Lazarat, nuk ishte në fakt në kërkim.

Gjithçka u duk se u mbyll. Por të premten më 8 shkurt Gjykata e Gjirokastrës vendosi të dërgonte për gjykim me akuzën e “Armëmbajtjes pa leje” Kostandin Xhuvanin dhe akuzën e “falsifikimit të dokumenteve” Kujtim Budani që rezulton infermierë i Spitalit Psikiatrik në Elbasan.

Në shkurt 2018 po e njëjta gjykatë kishte vendosur të rihapte hetimet pasi nga ekspertiza balistike e një prej armëve, që u gjet në Rrugën e Elbasanit më 4 nëntor 2014 ditën kur Xhuvani qëlloi dhe vrau katër persona, rezultoi se ishte e njëjtë me armën që u përdor në ngjarjen e 25 prillit të po atij viti në Gjirokastër.

“Sipas këtij akti ekspertimi, rezulton se tre gëzhojat e fiksuara në lidhje me ngjarjen e datës 25.04.2014, në lokal “Lithium” në Gjirokastër, janë qitur nga pistoleta model 54, kalibër 7.62 mm me nr.14053073”, thuhet në vendimin e rihapjes së hetimeve.

Nga hetimet e rihapura rezulton se prokuroria ka zbuluar falsifikim në librin e konsultave në Spitalin Psikiatrik, çka ka çuar në ngritjen e akuzës ndaj infermierit Budani. Por prokuroria ka hequr dorë nga akuza për kanosjes për Xhuvanin dhe nga vendimi i fundit e akuzon atë vetëm për “armëmbajtje pa leje”.

BIRN kontaktoi mbrojtësit e dy personave të caktuar kryesisht nga gjykata, por të dy refuzuan të komentonin. Avokati i Budanit tha se nuk kishte çfarë të thoshte pasi çështja ishte në gjykim.

Alibia “shpëtoi” Xhuvanin

Në vendimin e rihapjes së hetimeve mësohet se Xhuvani i shoqëruar nga 2 persona të tjerë ishin përfshirë në një sherr pasi kishin ngacmuar me gjeste dhe fjalë dy vajza. Një prej vajzave kishte njoftuar një të njohur, i cili pasi ka shkuar në lokal është grindur me fjalë me Xhuvanin dhe dy shoqëruesit e tij. Prokuroria thotë se një nga tre personat ka qëlluar me armë në ajër dhe me gjasë edhe mbi një makinë që ndodhej e parkuar.

Nga dëshmitë e para në vendin e ngjarjes të marra nga policia dhe ballafaqimi me fotografi Kostandin Xhuvani u identifikua si autorë i dyshuar. Por pasi policia referoi në prokurori ngjarjen Xhuvani, përmes avokatit, pretendoi se kishte qenë në Elbasan.

Avokati i tij kishte paraqitur një memorie sipas së cilës i dyshuari nuk ishte autor i kësaj ngjarjeje dhe se “ai ditën e ngjarjes kishte qenë në Spitalin Psikiatrik”.

Për të vërtetuar këtë pretendim policia gjyqësore këqyri një kopje të librit të konsultave në këtë spital dhe sipas prokurorisë “rezultoi se në një nga fletët e këtij libri ishte shënuar emri i të dyshuarit”. Xhuvani po ashtu pretendoi se ditën e ngjarjes ka qenë në qytetin e Elbasanit dhe më pas ka shkuar në spital, pas konsumimit të një sasie alkooli.

Xhuvani po ashtu e shoqëroi alibinë me dëshmi të miqve të tij, të cilët thanë se kishin qenë duke pirë me të dhe që ai kishte pirë më shumë se të tjerët. “Fakti i të qenit i alkoolizuar, pasqyrohet edhe në shënimin e librit të vizitave të spitalit”, thuhet në vendimin e rihapjes së hetimeve.

Nga dokumenti i bërë publik në faqen e Gjykatës së Gjirokastrës Xhuvanit i kishte dalë në krah siç del nga procesverbali edhe “viktima” i cili nuk e kishte “njohur” gjatë ballafaqimit në komisariatin e policisë disa ditë më vonë.

Prokuroria pretendon se në pranverë të vitit 2014 ajo kishte pasur si provë kundër Xhuvanit vetëm njohjen fotografike që nuk ishte cilësuar e mjaftueshme. Megjithatë një muaj pasi prokuroria pushoi hetimet Xhuvani u përfshi në një sherr të ri. Ai vrau katër persona në Tiranë.

Ngjarja risolli në skenë incidentin në Gjirokastër dhe opozita akuzoi qeverinë se kishte mbuluar krimin dënimi i të cilit do kishte parandaluar vrasjen e katërfishtë. Qeveria përgënjeshtroi akuzat. Ajo u mbrojt me faktin se policia kishte referuar ngjarjen dhe po ashtu dëshminë  e drejtorit të Spitalit Psikiatrik që tha se Xhuvani kishte qenë në atë spital atë ditë dhe rezultonte i rregjistruar.

Një vit pas masakrës Xhuvani u dënua me 35 vjet burg për vrasjen e katërfishtë dhe u duk se incidenti banal në Gjirokastër i cili kishte rezultuar vetëm me një xham të thyer makine ishte mbyllur përfundimisht.

Ekspertiza që rihapi hetimet

Megjithatë në vjeshtë të vitit 2017 policia e Tiranës, siç del në vendimin për të rihapur hetimet, u ka përcjellë kolegëve të Gjirokastrës të dhënat se arma me “numër 14053073”  e kapur pas një ngjarje të ndodhur në Tiranë, ishte e njëjtë me një prej armëve të përdorura në një sherr banal në Gjirokastër.

Policia e Gjirokastrës e referoi këtë në prokurori. Nga të dhënat që u shkëmbyen mes dy prokurorive rezultoi se arma ekspertiza balistike e të cilës ishte përfunduar vetëm në shtator 2017, ishte gjetur në Rrugën e Elbasanit me një plumb në gojë e 6 plumba të tjerë në krëhër ditën kur Kostandin Xhuvani u arrestua për vrasjen e katër personave në lokalin “Ante Grand”.

Në vendim sqarohet se arma u gjet e hedhur në rrugë ndërsa Xhuvanit iu gjet edhe një armë tjetër me numra të fshirë me të cilën rezultoi se ishin kryer vrasjet.

Ekspertiza balistike zbuloi se arma që kishte kryer të shtënat në Gjirokastër ishte e njëjtë me armën e gjetur në rrugë. Pas zbulimit të këtij fakti prokuroria i kërkoi Gjykatës së Gjirokastrës në shkurt 2018 rihapjen e hetimeve.

“Mbi bazën e vendimit të datës 22.09.2017, është bërë ekspertimi balistik-krahasues nga Drejtoria e Policisë Shkencore duke krahasuar gëzhojat e përftuara nga qitjet eksperimentale të bëra nga të dyja armët me tre gëzhojat e fiksuara në lidhje me ngjarjen e datës 25.04.2014, në lokal “Lithium” në Gjirokastër. Ka rezultuar se këto tre gëzhoja janë qitur nga pistoleta model 54, kalibër 7.62 mm me nr.14053073”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Prokuroria i kërkoi kësaj të fundit se “në kushtet kur kanë dalë prova e reja”, duhej të shfuqizohej vendimi i pushimit të hetimeve “pasi këto prova lidhen me fakte të rëndësishme , që ndikojnë në drejtësinë e zgjidhjes së çështjes”.

Gjykata pranoi këtë arsyetim. Prova e gjetur sipas vendimit binte ndesh me alibinë e Xhuvanit se ai kishte qenë në Elbasan në orën e ngjarjes në Gjirokastër dhe se kishte marrë mjekim në Spitalin Psikiatrik. Gjykata vendosi se ajo ishte e mjaftueshme për të rihapur hetimet.

Një vit më pas prokuroria kërkoi dërgimin e çështjes në gjyq dhe konsideron të provuar akuzën e “armëmbajtjes pa leje” për Xhuvanin. Dispozitivi i shkurtuar i vendimit, që u mor pas katër seancash paraprake të premten më 8 shkurt, nuk jep të dhëna se pse është rrëzuar akuza e kanosjes.

Vendimi bën me dije megjithatë se një person që BIRN mësoi se ishte infermier në spitalin e Elbasanit akuzohej për falsifikim dokumentesh. Nuk është e qartë nëse prokuroria ka hetuar personat e tjerë që kanë dhënë dëshmi të rreme në favor të Xhuvanit, përfshi drejtorin e asaj kohe të Spitalit Psikiatrik i cili publikisht tha se ai ishte shtruar atë ditë në atë spital.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme