Akuzat e para ndaj Saimir Tahirit për lidhje me grupin e “Habiljave” të njohur në zonën e Vlorës për trafik droge nisën të ngrihen me forcë nga opozita në vitin 2013, menjëherë sapo ai u ul në karrigen e ministrit të brendshëm në qeverinë “Rama 1”.
Akuzat më të forta i bëri ish-shefi i antidrogës Dritan Zagani që u arratis nga vendi sapo ndaj tij u ngrit akuza për dekonspirim të aksioneve të policisë. Zagani foli nga arratia duke denoncuar përdorimin në narko-trafik të makinës së famshme Audi me targa AA 003 GB nga kushërinjtë e ministrit në Vlorë.
“…subjekti që më interesonte u fut te ky “Audi” i zi me targë AA 003 GB! Të nesërmen sapo u futa në zyrë, nuk më mbante kurioziteti për një ditë më parë dhe u futa në sistemin e targave për të verifikuar këtë targë që shënova në Vlorë. Sa e hap, më del që pronar i mjeti ishte një emër Saimir Bashkim Tahiri! Mu duk si emër i njohur. Ishte dhe emri ministrit ashtu, por prapë nuk isha i bindur dhe u futa në TIMS dhe verifikova emrin e mësipërm, si dhe hyrje-dalje të kësaj makine! Mbeta një moment si i hutuar sepse në monitor më doli pikërisht fytyra e personit që tashmë ishte ministri im! Qesha si pa kuptuar dhe i thirra shefin tim! Shefi vjen dhe i them: “Shiko ça më del këtu”. Ai shikon fytyrën e ministrit dhe më thotë: “Po, është ministri jonë pse pyet?” Kështu i shpjegova se si arrita deri sa më doli fytyra e ministrit në sistem. Ai me të qeshur ma kthen: “Je i vonuar, ka kohë që e din mbarë policia si s’e ditke ti?!”
Në atë kohë Tahiri, por edhe shefi i tij, kryeministri Rama i injoruan dhe mohuan me forcë akuzat duke i quajtur “baltë nga kazani që po i hidhej qeverisë”.
16 tetor 2017
Këtë datë Saimir Tahiri nuk do ta harrojë lehtë. Policia italiane njoftoi arrestimin e 7 personave pjesë e një rrjeti narko-trafikantësh shqiptarë të cilët mbaheshin nën përgjim prej së paku 2 vjetësh. Kreu i tyre ishte Moisi Habilaj, kushëriri i famshëm i Saimir Tahirit.
17 tetor 2017
Një ditë më pas Partia Demokratike publikoi dosjen e plotë ku mes 413 faqeve me përgjime dhe hetime përmendej edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
“Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri” (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu i thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”, – thuhej në dosjen e hetuesve italianë.
“Mendo, veç borxheve që kemi, veç atyre që kemi marrë, kemi 75 mijë që janë automatikisht të caktuara. 30 mijë “xhaxhait”, 30 mijë duhet t’ja çoj Saimirit, bëjnë 60, 15 anija që na duhet patjetër, bëjnë 75 mijë, plus 100 që janë: 72 të atyre në Fier, 20 të Arsenit, 170 mijë lekë heqim dhe këta të shtetit që kemi”, – shkruhej në një paragraf tjetër.
18 tetor 2017
Në Tiranë ishte hapur “Kutia e Pandorës”. Ish-ministri i Brendshëm që tashmë ishte zgjedhur deputet në radhët e Partisë Socialiste për Tiranën ishte vënë në “syrin e ciklonit”. Prokuroria e Krimeve të Rënda u vu menjëherë në lëvizje. I nisi që atë ditë një kërkesë Kuventit të Shqipërisë ku pikë e parë ishte lejimi për arrestimin e Saimir Tahirit. Kujtojmë që mazhoranca nuk u nxitua. Nuk e thirri që atë ditë Këshillin për Mandatet Imunitetin dhe Rregulloren, por priti. Opozita këmbëngulte: “Saimir Tahiri duhet t’i dorëzohet drejtësisë. Duhet pranuar menjëherë kërkesa e prokurorisë”. Por mazhoranca po priste duke u justifikuar me procedurat.
19 tetor 2017
Përpara dosjes me akuza të rënda, paraditen e së enjtes Kryeministri Edi Rama dha sinjalin parë se e kishte “shitur” atë që deri dje ishte krahu i tij i djathtë. Në një reagim në Facebook, Rama shkroi pak rreshta:
“Drejtësi për të gjithë dhe drejtësi mbi këdo. Uroj që Saimiri të provojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh. Por këtë dua ta mësoj nga drita e së vërtetës dhe këtë dritë s’e kam as unë, as qeveria, as partia. E ka vetëm drejtësia që duhet të na e ndriçojë këtë udhëkryq mes llafeve e provave. Deri në fund“.
Me lot në sy Tahiri ka dalë në mbrëmje në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Me zërin dhe mjekrën që i dridhej dhe një fytyrë të zbehtë ai u drejtohej gazetarëve se rrezikonte prangat: “Lorenc, unë po arrestohem, unë po shkoj në burg. Kuvendi është thirrur të votojë, nëse unë do shkoj në burg apo jo”– thoshte Tahiri.
20 tetor 2017
E premte. Ora 11. Mblidhet Këshilli për Mandatet, Imunitetin dhe Rregulloren. Ndryshe nga një ditë më parë ish-ministri i Brendshëm nis të tregojë dhëmbët duke lëshuar mesazhe të koduara. Duke dalë nga shtëpia e tij ai u tha gazetarëve një shprehje të njohur të Ramës: “Nuk keni parë asgjë akoma”.U përfol se kishte pasur edhe një takim me tone të larta mes Tahirit dhe Ramës ku ish-ministri i kishte thënë kreut të qeverisë se “po të fundosej do ta merrte me vete”, por kjo ende nuk ka për t’u konfirmuar derisa ndonjëri nga të dy të shkruajë libra në moshën e pensionit.
Diçka kishte ndryshuar. Po frynin erëra të tjera.
Në këshillin e Mandateve, Rrgullores dhe Imunitetit socialistët mazhdojnë të fshihen pas procedurave. Duan të fitojnë kohë pavarësisht presionit. Të gjitha mediat dhe sytë e publikut. Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda që kryeson grupin e hetuesve lexon akuzat.
“Ne kemi krijuar bindjen e plotë që deputeti Saimir Tahiri është i përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Ne sot nuk kemi ardhur për të marrë një mandate arresti, pasi arrestin e jep gjykata. Ne kërkojmë heqjen e imunitetit, që në çdo moment deputeti të jetë i ekspozuar ndaj një heqje lirie. Na rezulton që ka biseda komprometuese në lidhje me deputetin Saimir Tahiri, qoftë në pjesëmarrjen e tij në këtë grup kriminal. Aty bëhej fjalë për dhënie dhe marrje”.
Komisioni për mandatet nuk vendos të premten. Pas një mbledhje maratonë që zgjati deri në orët e pasdites, me votat e mazhorancës u vendos që fjala e fundit të jepej në një mbledhje që do të zhvillohej të hënën, pasi “duhej të shqyrtoheshin provat”. Ndërkohë Rama që ndiqte gjithçka nga TV poston një tjetër mesazh në Facebook ku dukej qartë për herë të parë sulmi ndaj prokurorëve të çështjes.
“Deri këtu muhabet pazari nga 72 orë çorbë në kazanët e krimit, politikës, medias! Të presim me vullnet të plotë për drejtësi PROVAT #Derinëfund”.
Të premten nuk u morr vendim për heqjen e plotë të imunitetit të Tahirit që mund të sillte arrestimin e tij. Avokatët kërkuan 3 ditë kohë, por Gramoz Ruçi dha vetëm 24 orë. Vendimi do të merrej të shtunën.
21 tetor 2017
Maxhoranca dha sinjalin e fortë kundër arrestimit te ish-ministrit te brendshëm Saimir Tahiri. Pas një mbledhjeje qëzgjati rreth 8 orë, 5 anëtaret e PS në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit refuzuan kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Tahiri, duke pranuar vetëm kërkesën për kontrollin e shtëpisë se tij. Fjalën e fundit do ta thoshte Kuvendi.
23 tetor 2017
Përpara se Kuvendi të vendoste me votë për Saimir Tahirin duhet që pas 4 ditësh të dilte të fliste me zë dhe me figurtë Edi Rama. Fjala e tij në grupin parlamentar mëngjesin e së hënës do të mbahet mend për mënyrën se si ai iu drejtua Tahirit duke mos kursyer edhe epitetet, “dru i shtrembër” dhe “vemje”
“S’besoj se ka nevojë të them këtu, pse do të ishte zhgënjimi më i rëndë në kujtesën time dhe mësimi më i hidhur i jetës sime në shërbimin publik, nëse do të zbuloja në fund të kësaj historie se Saimir Tahiri nuk është ai që unë njoh, që e kanë besuar e mbështetur me gjithsej, pas meje, kaq shumë njerëz, po një vemje, e cila e turpëron fjalën njeri!” – do të thoshte ndër të tjera Rama.
Kreu i qeverisë për herë të parë sulmoi hapur edhe prokurorët e çështjes.
“Ku u gjet ky zell i panjohur, i një Prokurorie Krimesh të Rënda që s’ka lëvizur gishtin qëkur ka lindur, jo për ndonjë nga mijëra akuzat e ngritura sheshit nga njerëz publikë, jo përgjime nga llumi i krimit, po as për ca fakte e për ca prova që dihen e shihen ashiqare, si të dyshimta e shumë të dyshimta madje, për të përdorur terma juridikë, në pasqyrën e viteve të jetës së asaj Prokurorie?”
25 tetor 2017
E mërkurë. Kuvendi mblidhet në një seancë të posaçme për të vendosur për imunitetin e Tahirit. Vendimi tashmë ishte marrë. Rama e kishte marrë sërish në mbrojtje Tahirin. Kjo pavarësisht presionit të opozitës, opinionit publik dhe ndërkombëtarëve. Për të shuajtur zhurmën ai sajon një tjetër çështje. Sapo kuvendi voton me shumicë votash të mos lejojë arrestimin e Saimir Tahirit duke pranuar vetëm bllokimin e pasaportës dhe kontrollin e banesës, Rama del jashtë sallës së seancave plenare dhe në oborr sulmon fort gazetarët.
“Jam këtu për tu marrë me ju sepse jeni pjesë e problemit. Jeni të pashkolluar. Ikni lexoni. Ato kokat e mëdha që tundin dynjanë në klubin e katundit mediatik: “Po mirë mo pse ca ka, të shkojë njëherë në burg dhe pastaj flasim rrugës. Ju jeni per t’u qare hallin dhe unë ju përgjigjem si ma do e bardha zemër” – u tha Rama gazetarëve duke tentuar të mbulojë zhurmën që kishte hapur çështja Tahiri.
Çfarë ndodhi më pas…
Më pas pasuan 6 muaj të gjatë ku emri i Saimir Tahirit herë dukej sikur zhdukej nga kronikat, por sërish rikthehej fuqishëm. Sa më shumë afronte data e vendimit të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit aq më i fortë bëhej emri i ish-ministrit të brendshëm. Ndërkombëtarët kërkonin “peshq të mëdhenj” përpara drejtësisë. Dhe Rama dukej i gatshëm t’ua jepte. Emri i Saimir Tahirit e ndoqi deri në Bundestagun gjerman ku iu tha troç në fytyrë se qeveria e tij kishte mbrojtur nga arrestimi një ministër të akuzuar për korrupsion. Sapo Rama kthehet në Tiranë, Tahiri rikthehet në Kuvend. Bën një tjetër deklaratë në dukje kërcënuese ndaj shefit të tij. “Nuk ka bir nëne dhe bir kurve të më ndalojë mua…” – do të thoshte Tahiri para sallës së Kuvendit. Beteja duket se kishte nisur sërish. Rama mes dy zjarreve. Në njërin krah Brukseli, Uashingtoni dhe opozita në krahun tjetër Tahiri.
3 maj 2018
Saimir Tahiri dorëzon “vullnetarisht” mandatin e deputetit. Në një fjalim të gjatë ai tha se do ta kërkonte drejtësinë deri në fund si qytetar i lirë. Në deklaratën e tij nuk munguan akuzat për Ramën dhe për Xhafajn. U sulmuan prokurorët, por edhe diplomatët e huaj. Tahiri tha se nuk do të bëhej “kurban” për integrimin.
Në reagimin e tij të parë pas dorëheqjes së Tahirit, Rama u duk i qetë. Në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion” ai tha se “ky ishte një akt dinjitoz” se ai “nuk kishte gisht”, “nuk e kishte ditur më herët”, “nuk ia kishin kërkuar ndërkombëtarët” dhe se “kjo nuk kishte lidhje me hapjen e negociatave”. Për analistët ishte dukshëm një marrëveshje mes të dyve.
12 maj 2018
Një ditë pasi KQZ vendosi zëvendësimin e Tahirit në Kuvend, prokuroria e krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij dhe masën “arrest me burg”. Gjykata vendosi “arrest shtëpie”. Ky vendim për opozitën është pjesë e lojës Rama – Tahiri për tu hedhur hi syve ndërkombëtarëve. Në këtë mënyrë Rama thotë se e ka dorëzuar atë në duart e drejtësisë, në krahun tjetër, në prapaskenë bën gjithçka që Tahiri t’i shpëtojë burgut.
Pyetjet që shtrohen janë: “Edhe sa gjatë do të qëndrojë Saimir Tahiri jashtë qelisë? A do të kishte vendosur gjykata të njëjtën masë për një qytetar të thjeshtë që “rastësisht” u ka falur makinën disa trafikantëve të cilët flasin me njëri-tjetrin për dhuratat që do t’i bëjnë mikut të tyre? A ishte e gjitha një lojë përpara vendimit të BE për çeljen e negociatave për të dhënë përshtypjen se Shqipëria po çon para drejtësisë “peshqit e mëdhenj”? Mbetet të shohim. /Lapsi.al/
KFOR-i turk patrullon në veri të vendit
“S’të kam lënë kurrë në baltë”, Sara dhe Driloni nuk ndahen ...
Banorët e Bibajve të Ferizajt protestojnë për reduktimet e r...
Juventusi ka një plan B në rast se dështon transferimi i Zir...
Izraeli arreston drejtorin e një spitali në veri të Gazës
Kurti dhe Nagavci vendosin gurthemelin e çerdhes në Rekë-Vat...