Dy analistë amerikanë thonë se forcat politike në Shqipëri duhet të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe se Shqipëria duhet të vazhdojë në rrugën e reformave dhe demokratizimit. Profesori Daniel Serwer i Universitetit Johns Hopkins dhe Damon Wilson i Këshillit të Atlantikut, thanë për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara duan të shikojnë integrimin e Shqipërisë dhe forcimin e institucioneve, përfshirë pavarësinë e gjyqësorit dhe funksionimin e parlamentit. Me analistët bisedoi Keida Kostreci.
Zoti Serwer thotë se pas zgjedhjeve duhert të respektohen rezultatet dhe duhet punuar drejt konsolidimit të institucioneve.
“Rruga përpara është me pjesëmarrjen e plotë të opozitës dhe duke respektuar opozitën, por edhe respektimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe përgjegjësive të partisë qeverisëse. Dhe ato përgjegjësi përfshijnë konsolidimin e institucioneve demokratike, veçanërisht të gjyqësorit të pavarur”, – thotë ai.
Zoti Wilson, zv/president ekzekutiv në Këshillin e Atlantikut thotë se ka pasur shumë pasiguri në Bruksel dhe Uashington për ritmin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Kështu shpresoj që ky mandat të jetë sinjal për qeverinë, por edhe për opozitën se ky është një mandat që i duhet vendit për të ecur përpara në disa nga çështjet kryesore si sundimi i ligjit dhe masat antikorrupsion, për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në BE”, – tha ai për Zërin e Amerikës.
Ai thotë se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që ky proces të fillojë në verë. Zoti Wilson thotë gjithashtu se zgjedhjet dërguan edhe sinjalin që njerëzit duan të shohin opozitën të luajë rolin e saj.
“Njerëzit duan të shohin demokracinë në funksionim, duan të shohin opozitën të marrë pjesë në demokracinë parlamentare të Shqipërisë dhe të jetë opozitë aktive brenda parlamentit, mbështetëse e interesave të vendit”, – shton zoti Wilson.
Zoti Serwer dhe zoti Wilson thonë se megjithë disa probleme duket se zgjedhjet ishim më të mira se në të kaluarën.
Zoti Serwer është dakord me përfundimet e vëzhguesve të ODIHR-it si për anët pozitive edhe për shqetësimet që ngrenë ata. Zoti Serwer thotë në lidhje me shitblerjen e votave se sa më shumë rritet mirëqenia dhe të ardhurat individuale, aq më e kushtueshme bëhet të blihet vota.
Por ai shqetësohet sidomos për përdorimin e administratës në shërbim të partisë, pasi e sheh si një problem më afatgjatë.
“Abuzimi me detyrën më duket se është një kritikë shumë më e thellë. Dhe ne duhet të shmangim kapjen e shtetit nga forcat politike. Dhe sidomos kur zgjidhet i njëjti kryeministër tre herë me radhë ka një rrezik për kapjen e shtetit”, – tha ai.
Zoti Wilson bie dakord me nevojën për ta shmangur një gjë të tillë.
“Shqipëria po shqyrtohet me kujdes. Ende nuk ka filluar procesin e pranimit real për Bashkimin Evropian për shkak të disa dyshimeve që shumë hartues të politikave në Evropë që kanëlidhje me angazhimin e saj për sundimin e ligjit”, – tha ai.
Zoti Serwer thotë se megjithëse ka pasur përparim në vend, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të shqetësuara për probleme si sundimi i ligjit dhe korrupsioni. Ashtu si edhe shqiptarët, thotë ai.
“Unë nuk pres nga askush në demokraci që të jetë i kënaqur. Ata duhet të kërkojnë nga qeveria e tyre atë që duan. Dhe një nga shqetësimet kryesore të popullit shqiptar tani është korrupsioni dhe sundimi i ligjit dhe vendet e punës.”
Zoti Wilson thotë se SHBA nuk mbështet palët por Shqipërinë.
“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mbështesin një kandidat të veçantë, apo një person apo një individ. Nuk funskionon kështu, kur je një anëtar i NATO-s dhe je në rrugën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian”, – thotë ai.
Zv/Presidenti i Këshillit të Atlantikut thotë se mandati i tretë do të jetë një shans për shumicën për të fituar besimin e duhur për integrim.
“Është një mandat për ta marrë seriozisht këtë proces, për të përshpejtuar përpjekjen e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe për t’u bashkuar me familjen e vendeve të BE-së, ashtu siç ka hyrë në aleancën e NATO-s. Tani është koha për të parë Shqipërinë në atë familje dhe në atë komunitet.”
Të dy analistët bien dakord se angazhimi i shprehur nga Shtetet e Bashkuara ndaj proceseve në Ballkan, është që sinjal që Shqipëria dhe vendet e tjera të vazhdojnë në rrugën e reformave të nevojshme dhe demokratizimit. /VOA
Shoferi humb kontrollin, shtatë të lënduar në New York
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Parashikimi i motit në Shqipëri
Giro d’Italia në Shqipëri/ Rama: Lajmi është publikuar në 70...
Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
Nuk ka pritje në pikat kufitare të Republikës së Kosovës