Shuma e madhe e grumbulluar për rindërtimin pas tërmetit, ekspertët: Kujdes, shumica është borxh

16:37 | 18 Shkurt 2020
A. B.

Shqipëria pret të marrë 1 miliard e 150 milion euro për rindërtimin. Ekspertët i kërkojnë qeverisë transparencë për fondet e përfituara në Konferencën e Donatorëve.

Arben Malaj, duke folur për Abc News theksoi se kreditë e buta janë borxh që i shtohen ekonomisë shqiptare. Sipas tij, qeveria duhet që të bëjë publike të gjitha efektet e kredive dhe impaktin që ato mund të kenë në nivelin e borxhit.

Arben Malaj: Kushtet e kredisë duhen specifikuar. Qeveria në një peruidhë sa më të afërt duhet të tregojë sa dha çdo vend, sa ishte grant nga secili vend, dhe sa ishte kredi, me çfarë termash është kredia. Qeverisë gjithashtu do i duhet punë e madhe për të bërë përputhjen se ku donatorët kanë preferuar ti japin donacionet e tyre, edhe kjo punë kërkon kohën e saj.

Edhe për ekspertin Adrian Civici kreditë e buta nga institucionet financiare dhe nga vendet europiane do të shlyhen nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Civici: Përfshirja e këtyre kredive të buta si pjesë e borxhit duhet të bëhet me vendim parlamenti për tavanin e borxhit. Direkt apo indirekt këto kredi janë borxh publik sepse pavarësisht kohëzgjatjes dhe normave të interesit të ulta pjesa tjetër e menaxhimit nga pikëpamja financiare është ngjashëm me borxhin e shtetit.

Ekspertët kanë bërë apel që të bëhet sa me shumë transparencë me fondet e donatorëve të dhëna per rimekembjen pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Sfidë mbetet faza e impelementit, koordinimi mes donatorëve. E rëndësishme është të mos ketë vonesa dhe të bëhet transparencë për çdo qindarkë”, tha Malaj.

Ndërsa Adrian Civici sugjeron ngritjen e strukturave të posaçme për përthithjen sa më të mirë të kredive dhe granteve që janë vënë në dispozicion nga shtetet donatore.

Shqipëria arriti të mbledhë 1.15 mld euro në konferencën e donatorëve. Në këtë shumë rreth 80% janë mbështetje në formën e kredive të buta dhe granteve dhe rreth 20% janë donacione. Por cilat janë instrumentat financiare që ka përfituar Shqipëria. Grantet janë fonde të dhëna nga qeveritë apo korporatat dhe për ti përfituar ato kërkohen projekte konkrete, por nuk kërkohet të kthehen mbrapsht. Donacionet janë fonde që i falen një shteti. Ndërsa kredia e butë është hua me interesa më të ulta se ajo që ofron tregu dhe mund të shkojnë deri në 3%.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme