Shtohen grabitjet e banesave, 38 zona me rrezik të lartë

21:14 | 8 Korrik 2017
Arbresh.info

Nëse keni planifikuar të shkoni me pushime, mos harroni të siguroni mirë shtëpinë tuaj.

Hajdutët mund të jenë duke pritur për ta vjedhur atë. Policia e Tiranës jep këto këshilla.“Një prej shkaqeve vjen nga pakujdesia e banorëve, të cilët e tërheqin derën dhe nuk e kyçin. Dhe ne kemi konstatuar që me kartën e bankomatit, autorët e kanë futur, kanë stakuar gjuhëzën dhe kanë hyrë për të vjedhur.

Edhe nxjerrja e informacionit nga qytetarët në rrjete sociale që tregon largimin nga banesa nxit hajdutët”, thotë Dhimitraq Ziu për TCH. Vetëm gjatë kohëve të fundit, policia e Tiranës ka goditur 3 grupe që vidhnin banesa, ndërsa nëndrejtori Ziu thotë se janë evidentuar 38 zona me risk, ku gjatë kësaj periudhe do të shtohen patrullimet.

Problem mbetet kontigjenti kriminal që vjen nga jashtë Tiranës.“Problem ngelen endacakët, shëtitësit siç i themi në gjuhën e policisë, pasi vijnë nga rrethet, bëjnë vjedhjen dhe largohen dhe kjo kërkon më shumë kohë për hetim për policinë”, thotë Ziu.

Policia i bën apel qytetarëve që të mbajnë kontakte të vazhdueshme për këtë problematikë edhe me administratorët e pallateve dhe të njoftojnë në numrin 112 për çdo dyshim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme