Shtëpia e Ismail Kadaresë hapet për publikun

15:38 | 25 Maj 2019
Arbresh.info

Nga sot, qytetarët e Shqipërisë, por edhe vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj, kanë një destinacion më shumë për të vizituar në kryeqytet.

Falë projektit të Bashkisë së Tiranës udhëhequr nga arkitektja Elizabeta Terragni, shtëpia ku jetoi dhe punoi për shumë vite për të shkruar disa nga veprat e tij më të njohura letrare gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, është kthyer në një muze.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, regjisori Piro Milkani, ambasadorë e mjaft personalitete të fushës së artit dhe të letrave, morën pjesë në hapjen e apartamentit që pasqyron jetën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare gjatë periudhës totalitare.

“Shprehja e Ismailit se gjithmonë ka kohë që njeriu të bëjë diçka të dobishme për vendin e tij, është fantastike. Në njëfarë mënyre gjetëm kohë, në shumë punë që ka qyteti, të bëjmë diçka të dobishme për vendin tonë, jo diçka ekskluzive të Tiranës, por diçka që lartëson, por edhe që hap një dritare për një nga figurat më emblematike, një nga markat më të njohura ‘Made in Albania’, që është Ismail Kadare, Helena dhe familja e tyre, si dhe vepra që ka buruar nga kjo shtëpi”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shprehu bindjen se kjo ndërtesë do të kthehet në një destinacion për turistët.

“Ne duam që ky muze të jetë patjetër një në dhjetë gjërat që shihet në Tiranë, pas Bunkerit, Shtëpisë me gjethe, sheshit, institucionet tona të kultit, Muzeu Kombëtar, Opera e Baletit”, u shpreh ai.

Brenda apartamentit, ekspozimi ndahet midis dokumenteve origjinale, objekteve, librave dhe mobilieve, si dhe hapësira ku mund të marrësh njohuri për veprën e shkrimtarit, në formën e një këndi leximi.

Por në Pallatin me Kuba, siç njihet ndryshe në kryeqytet, ka jetuar edhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli. Bashkia e Tiranës ka vendosur që edhe ky apartament të kthehet në një muze për të ndarë me publikun disa copëza nga jeta e Agollit. “Ky pallat nuk ka qenë vetëm adresa e Ismailit dhe e Elenës, por është edhe adresa e familjes Agolli. Jemi në diskutime me të dy fëmijët e Dritëroit që të bëjmë të njëjtën gjë, dhe ta kthejmë edhe atë në muze. Kështu, i gjithë pallati do të jetë i vizitueshëm. Fehmi Ibrahimi dhe të tjera personalitete kanë jetuar në këtë pallat, ndaj besoj se herët a vonë do të kthehet në një destinacion ku Bashkia e Tiranës me muzeumet vendore do të fillojë një traditë të re”, nënvizoi Veliaj.

Puna nuk do të ndalet këtu. I gjithë pallati ku kanë jetuar dy korifejtë e letrave të gjuhës shqipe do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të thellë, që i është besuar arkitektit të tij, Maks Velo. Ky objekt i ndërtuar para viteve ’90 në mes të Tiranës ishte shfaqje e modernizmit dhe rezultoi si një provokacion i vazhdueshëm për artin zyrtar të asaj kohe.

Bashkia e Tiranës po eksploron mundësi të reja për krijimin e hapësirave të tjera të vizitueshme për qytetarët dhe turistët e shumtë. Ndaj, krahas atyre në qendër të qytetit, edhe në zona të tjera të Tiranës do të ketë muze të tjerë që do të rrëfejnë më shumë për kryeqytetin. “Ne jemi duke eksploruar edhe hapësirat e tjera në Tiranë, që ashtu si shtëpia e Ismailit edhe Dritëroit, të kemi edhe hapësira të tjera që mund t’i kthejmë të vizitueshme, edhe në cepa të ndryshme të qytetit, për të mos u fokusuar në pjesën tonë qendrore. Ne duam që me këtë rast, të fillojmë një traditë shumë të bukur të muzeumeve vendore. Po diskutojmë që në zonën e Kalasë së Tiranës të kemi një muze vendor të qytetit të Tiranës, dhe të sigurohemi që në shtëpitë e mëdhaja tiranase, ndoshta mënyra më e mirë për t’i ruajtur ato ndërtesa është marrja në pronësi e tyre, siç bëmë me këtë ndërtesë”, theksoi Veliaj.

Një tjetër lajm i mirë është edhe shpërndarja e Kartës Studentore, e cila u krijon mundësi të rinjve që të kenë akses nëpër muzetë e ndryshëm falas ose me çmime shumë të reduktuara. “Nga sot muzeu do të jetë i hapur, madje për studentët, duke qenë se bashkë me ministren, javën tjetër fillojmë shpërndarjen e Kartave Studentore, për studentët është me 80 % ulje. Pra, thuajse falas për të gjithë studentët. Ndërkohë, sigurisht që ka oferta të ndryshme për ata që janë turistë, që janë grupe, për fëmijët, është gjithashtu falas”, bëri të ditur Veliaj./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme