Shqiptari plagos me armë zjarri djalin e partneres në Itali, 18-vjeçari në gjendje të rëndë

18:28 | 6 Tetor 2024
E.G

Një 45-vjeçar shqiptar ka qëlluar me armë zjarri djalin e partneres së tij, i cili ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Milano të Italisë ku policia ka ndërhyrë në vendngjarje duke vendosur në pranga 45-vjeçarin shqiptar.

Sipas ndërtimit të ngjarjes nga policia, gjithçka ka ndodhur pas një debati në rrugë, ku 45-vjeçari shqiptar ka qëlluar 18-vjeçarin, i cili rezulton djali i partneres së tij.

Pas ngjarjes shqiptari është arrestuar dhe akuzohet për tentativë vrasjeje të 18-vjeçarit, për armëmbajtje pa leje si dhe për vjedhje, raportojnë mediat italiane.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shqiptarit, karabinierët kanë gjetur 40 gëzhoja të të njëjtit kalibër me të cilën qëlloi 18-vjeçarin si dhe një pistoletë që 45-vjeçari e kishte vjedhur në vitin 2013 në Sassuolo të Modenës.

Nga ana tjetër, 18 vjeçari i plagosur është transportuar në spitalin Niguarda në Milano ku ndodhet në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën. 45-vjeçari shqiptar do të dërgohet në burgun e Milan San Vittore, ku do vihet në dispozicion të organeve të drejtësisë.

/rtsh.al/

Të ngjashme