Turizmi, një nga sektorët kryesorë të ekonomisë i cili ka tërhequr investime të shumta vitet e fundit, ka marrë frymë në vitin 2021, pas periudhës së vështirë që kaloi nga pandemia.
Të huajt shpenzuan në vend 1.9 miliardë euro në 2021, shumë që është dy herë më e lartë sesa vitin e kaluar dhe 8.2% më e ulët sesa në 2019-n, që deri tani ka qenë viti më i mirë për turizmin.
Rimëkëmbja ka ardhur në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa pjesa e parë, kur pandemia shënoi një valë tjetër në Europë, ishte e dobët për turizmin.
Tremujori i tretë 2021 ishte i vetmi që shënoi të ardhura të barabarta me të njëjtën periudhë të para-pandemisë, duke arritur në 786 milionë euro. Kjo është dhe periudha kur ka një fluks të shtuar të turistëve në vend. Edhe në tremujorin e katërt, të ardhurat ishin pothuajse sa e njëjta periudhë e 2019-s.
Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në 2021, në vend hynë gjithsej 5.7 milionë shtetas të huaj, pothuajse dyfishim në raport me një vit më parë, por me rënie gati 11% në krahasim me vitin 2019.
Turistët nga Kosova mbajtën peshën kryesore dhe kompensuan uljen e hyrjeve të turistëve të tjerë nga Europa, që nuk u kthyen në vend as në vitin 2021. Sipas INSTAT, pesha e turistëve nga Kosova në 2021 ishte 47% e totalit, nga 33% në 2019-n.
Shqiptarët ulin shpenzimet sepse nuk udhëtojnë dot
Ndërsa hyrjet e turistëve të huaj po i afrohen me shpejtësi niveleve të parakrizës, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me shtetasit shqiptarë.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë ishin 1.1 miliardë euro në vitin 2021, që ndonëse pothuajse u dyfishuan në raport me një vit më parë, mbetën 32% më të ulëta në krahasim me 2019-n.
Kufizimet që shumë shtete të Europës mbajtën në fuqi gjatë verës së kaluar dhe në muajt e fundit të vitit kanë bërë që shumë shqiptarë të mos planifikonin udhëtime jashtë vendit.
Të dhëna të tjera të INSTAT tregojnë se në 2021 kishte 4.2 milionë dalje të shtetasve shqiptarë, nga 5.9 milionë në 2019-n, me një rënie prej gati 30%.
Bilanci më i mirë historik nga turizmi
Pamundësia e shqiptarëve për të pushuar jashtë ka bërë që vendi të ketë bilancin më të mirë historik të turizmit. Ky bilanc matet si diferencë e shpenzimeve të të huajve në Shqipëri me shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit.
Për vitin 2021, ky tregues ishte 840 milionë euro, ose 68% më i lartë se në vitin më të mirë historik deri tani, që ishte në 2019-n./Monitor/
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...