Shqiptarët i harxhojnë paratë për “qejf”, por kursehen për ushqime

09:28 | 27 Qershor 2018
Arbresh.info

Edhe pse gati gjysma e shpenzimeve të familjeve shqiptare shkojnë për ushqime ato janë treguar të kursyera në tremujorin e parë të vitit 2018, teksa indeksi i shitjes me pakicë të produkteve ushqimore ka mbetur në vendnumëro në krahasim me tremujorin e parë të 2017, sipas indeksit të tregtisë me pakicë të INSTAT.

Ndryshimi vjetor i indeksit të tregtisë me pakicë për produktet ushqimore në tremujorin e parë të vitit ishte vetëm 0.2%, një ndër rritjet më të ulëta të viteve të fundit.

Me një krahasim afatmesëm që nga viti 2016 shihet një rënie e ritmeve të konsumit të ushqimeve në një trend gati të qëndrueshëm. Fenomeni merr formë nga fillimi i vitit 2017 ku të gjithë tremujorët deri në të parin e 2018-es shihet një rritje me ritme më të ulëta e konsumit të ushqimeve nisur nga indekset e shitjes me pakicë.

Gjatë vitit 2016 indekset e tregtisë me pakicë të ushqimeve kishin rritje vjetore më të larta se 9 për qind. Por, ndërsa tregohen të kursyer me ushqime, shqiptarët nuk kursehen në blerjet e tjera. Indeksi i tregtisë me pakicë shfaq një diferencë të dukshme të shitjeve të artikuj jo ushqimore me ato ushqimore.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se konsumi është mbajtur në këmbë nga artikujt jo ushqimore të cilët gjatë tremujorit të parë të vitit 2018 janë rritur 2.8 për qind në krahasim periudhën respektive të vitit 2017.
Në tremujorin e parë 2018, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë gjithsej është rritur 1,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Grupet të cilat kanë ndikuar janë grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” +0,1 pikë përqindje.
Ggrupi “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” +1,2 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” +0,2 pikë përqindje./monitor

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme