Google ADS

Shqipëria zvogëlohet diaspora zmadhohet, Instat: 1.64 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit

23:33 | 18 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Etja e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi i tyre po e rrit vit pas viti përmasën e diasporës sonë. Instat raporton se për vitin 2019 numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit arriti në rreth 1.64 milionë, në rritje me 3.6% krahasuar me një vit më parë.

Kjo shifër, megjithatë, mbështetet mbi vlerësime të tërthorta, sepse matja e saktë e numrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit paraqet vështirësi të kuptueshme të natyrës teknike dhe metodologjike. Instat përfshin te diaspora vetëm individët me shtetësi shqiptare, ndërsa ata që ndodhen jashtë regjistrit civil të shtetasve nuk janë të përfshirë.

Jashtë llogaritjeve ngelen shtetasit shqiptarë të lindur jashtë vendit dhe të paregjistruar në Shqipëri, si edhe ata individë që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare.

Në këtë përllogaritje nuk përfshihen diaspora e vjetër dhe pasardhësit e emigrantëve të hershëm shqiptarë, të para Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e të cilëve sidoqoftë vazhdojnë të mbajnë lidhje me Shqipërinë. Diaspora shqiptare ka një moshë relativisht të re krahasuar me popullsinë rezidente në Shqipëri.

Kështu, rreth 20% e shqiptarëve në diasporë janë më pak se 14 vjeç, ndërsa 95% e tyre janë në moshë pune. Për sa i takon shpërndarjes së diasporës sipas shteteve ku jetojnë, shifrat mbështetet në të dhëna të pjesshme dhe kryesisht në censet e organizuara nga shtetet përkatëse.

Bazuar në këto të dhëna, vendet me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë janë Greqia me 481 mijë banorë dhe Italia me 451 mijë banorë. Megjithatë, duke pasur parasysh se censet kryhen me frekuencë të rrallë, zakonisht njëherë në 10 vjet, të dhënat e këtyre censeve shpeshherë nuk japin një tablo shumë aktuale të realitetit. Kjo vlen sidomos për shtete ku ka pasur një rritje të ndjeshme të emigrimit të shqiptarëve në dekadën e fundit, si Gjermania apo Mbretëria e Bashkuar.

Gjithashtu, nëse në diasporë do të përfshiheshin të dhënat e anketimeve jo zyrtare, si edhe ato të diasporës së hershme, numri i shqiptarëve do të rezultonte shumë më i lartë.

Në Shtetet e Bashkuara përllogaritet se jetojnë afërsisht 87 mijë shqiptarë të diasporës së re, të vendosur aty pas vitit 1990.

Megjithatë, duke përfshirë edhe diasporën e hershme, vlerësohet se numri i shqiptarëve në Amerikë arrin në rreth 215 mijë individë./scan

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme