Shqipëria është në prag të Zgjedhjeve Parlamentare 2021, që do të zhvillohen të dielën, më 25 prill.
Përgjatë një muaji fushatë, shpesh e përcjellë me tensione, partitë politike kanë kërkuar nga qytetarët besimin për udhëheqjen e vendit, me premtime për ta dhe akuza ndaj njëra-tjetrës.
Në Shqipëri janë regjistruar 46 subjekte politike, që garojnë për marrjen e drejtimit të shtetit, megjithatë, vendi ka dy forca kryesore politike të cilat e kanë udhëhequr atë që nga rënia e komunizmit.
Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, kërkon një mandat të tretë qeverisës. Ndërsa, Partia Demokratike (PD) në opozitë, e drejtuar nga Lulzim Basha, kërkon ta marrë drejtimin e vendit pas 8 vjetësh në opozitë.
Një aktor i rëndësishëm në vend është edhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), që udhëheqet nga Monika Kryemadhi. Kjo parti, tradicionalisht ka qenë e vogël në pëfaqësim në Kuvend, por ka luajtur rol në ndërtimin e qeverive përmes koalicioneve paszgjedhore.
Fokusi dhe premtimet
Partia Socialiste fokusohet në prezantimin e projekteve si vaksinimi masiv anti COVID-19, në projektet e mëdha në infrastrukturë, porte, aeroporte dhe autostrada, duke thënë se ato do të nxisin zhvillimin ekonomik të vendit dhe punësimin e qytetarëve.
Me parullën “Shqipëria, e ardhmja jonë”, kryeministri Rama kërkon mandatin e tretë, duke thënë se “duam që Shqipëria të jetë e dekadës në të cilën kemi hyrë”.
“Në 25 prill, nuk bëhet fjalë për të zgjedhur mes partive, nuk bëhet fjalë fare, as për të zgjedhur mes disave e disa të tjerëve. Në 25 prill, bëhet fjalë për të zgjedhur rrugën, për të zgjedhur se çfarë duam të jemi ne dhe si duam ne të jetë Shqipëria e e kësaj dekade ku kemi hyrë”, ka thënë kryeministri Rama.
Partia Demokratike është fokusuar në mirëqenien sociale, në situatën e vështirë sociale dhe ekonomike, papunësinë, largimin e rinisë nga Shqipëria dhe rindërtimin e një sistemi të besueshëm të drejtësisë.
Kjo parti në këtë fushatë ka slloganin “Shqipëria fiton”, dhe kërkon nga qytetarët që “mos t’i hapin derën dështimit për herë të tretë”.
“Tetë vite (Rama) nuk e mbaroi rrugën e premtuar, tetë vite zvarriti, tetë vite mashtrime për fermerët, tetë vite duhet të marrin fund për tre ditë e dy orë. E keqja largohet me votë, korrupsioni largohet me votë, mashtrimi e dështimi largohet me votë. Duke u bërë të gjithë bashkë dhe duke votuar ditën e diel”, tha Basha.
Fushatë e tensionuar
Përgjatë një muaji të fushatës elektorale në vend, partitë që garojnë shpesh kanë përdorur retorika dhe gjuhë të ashpër ndaj njëra tjetrës, por as incidentet dhe përplasjet fizike nuk kanë munguar.
Më 21 prill, një ish-zyrtar i partisë opozitare ka mbetur i vrarë dhe një police është plagosur në qytetin e Elbasanit, në një përleshje të armatosur që ka shënuar incidentin më serioz, disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Viktima është identifikuar si Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, ish-zyrtar i Lëvizjes Socialiste në Elbasan.
Sipas raportimeve, vrasësi i Xhuvanit është Arbër Papleka, i cili është mësuar se ka qenë edhe truproja i Gazmend Bardhit, koordinatorit të Partisë Demokratike në Elbasan, por edhe ish-pjesëtar i forcave speciale të policisë RENEA.
Ai është arrestuar nga Policia e Shqipërisë.
Pak ditë para kësaj ngjarjeje, një tjetër person u plagos me armë zjarri në zyrat e Partisë Demokratike në Kamëz.
Përdorim të dhunës fizike dhe përplasje mes simpatizantëve, ka pasur edhe nëpër tubime të partive përgjatë fushatës. Partitë, kanë hedhur akuza dhe kanë bërë fajtore njëra-tjetrën për këto ngjarje.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u ka bërë thirrje institucioneve për zbatimin e ligjit të jenë në krye të detyrës dhe të shkëpusin çdo lidhje apo preferencë partiake.
Palët politike në vend, kanë akuzuar njëra tjetrën edhe për blerje votash.
“Patronazhizmi” dhe databaza e të dhënave
Zbulimi i databazës së të dhënave personale, përfshirë edhe historikun e votimit të mbi 900,000 votuesve, nën posedim të Partisë Socialiste, i ka shtuar tensionet parazgjedhore në Shqipëri, duke ngritur dyshimet për një sistem elektoral që i nënshtrohet presionit politik dhe një vend ku institucionet shtetërore janë në shërbim të partive politike në pushtet.
Sipas partive opozitare dhe mediave që raportuan mbi këtë zhvillim, të dhënat personale të votuesve, përfshirë edhe preferencat e tyre elektorale, janë pjesë e një skeme te përdorur nga Partia Socialiste, krahas një rrjeti të elaboruar patronazhi të përbërë nga punonjës të institucioneve shtetërore, për t’i monitoruar votuesit individual.
Një zhvillim i tillë, është parë si një shkelje flagrante e privatësisë.
Ndërkohë, kritikët e kryeministrit Rama, i cili e ka mbrojtur posedimin e databazës si strategji e një partie serioze, e kanë krahasuar këtë veprim të Partisë Socialiste me metodat e përdorura nga ish-Sigurimi i Shtetit në epokën famëkeqe të komunizmit në Shqipëri.
Organizata ndërkombëtare Transparency International përmes një deklarate ka kërkuar hetim të menjëhershëm nëse Partia Socialiste në pushtet ka abuzuar me resurset shtetërore për ta siguruar fitoren në zgjedhjet demokratike.
“Viteve të fundit, e kemi parë një trend alarmues te shfrytezimit të të dhënave personale, për ta ndikuar rezultatin elektoral. Nësë dëshmohen akuzat se partia në pushtet në Shqipëri, ka mbajtur një databazë të siguruar ilegalisht me informata personale dhe private për 910,000 qytetarë, jo vetem që përbënë thyerje të dhënash, por edhe thyerje të besimit të publikut”, theksoi Transparency International.
Roli i presidentit
Presidenti i Republikës ka qenë i zëshëm përgjatë gjithë fushatës, ku shpesh ka bërë akuza, kryesisht kundër Partisë Socialiste, për blerje votash apo për keqpërdorime të ndryshme.
Ai ka krijuar një platformë në faqën e tij zyrtare, ku iu ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çfarëdo parregullsie që mund ta hasin gjatë fushatës.
Në një fjalim të mbajtur pak ditë më parë, Meta tha se “të gjithë bashkë do të duhet që në datën 25 prill, të rivendosim në funksionim të gjithë mekanizmat e shtetit të së drejtës”.
“Vetëm përmes garantimit të ushtrmimit të së drejtës themelore të votës dhe realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do t’i japim fund krizës së legjitimitetit dhe të përfaqësimit, që ka përfshirë institucionet kryesore të shtetit”, tha Meta.
Ai shtoi gjithashtu, se 25 prilli është vendimtar që Shqipëria të zhbllokojë çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe të garantohet se vendi do të qeveriset sipas vullnetit real të sovranit.
“Vetëm kështu do të mund të ç’kapim shtetin tonë, e mbi të gjitha ju do të rifitoni të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese, që u janë cenuar rëndë gjatë viteve të fundit”, tha Meta.
Prezenca ndërkombëtare
Përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Shqipëri kanë qenë të zëshëm gjatë gjithë muajt të fushatës zgjedhore, duke ju bërë thirrje qytetarëve të Shqipërisë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Nëpërmjet një video-mesazhi të shpërndarë nga ambasada suedeze në Tiranë, ambasadorët – përfshi atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – bënë thirrje që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke i vlerësuar si ngjarja më e rëndësishme për demokracinë.
Të pranishëm në këtë video janë ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim, ambasadori i BE-së Luigi Soreca, koordinatorja e Përhershme e OKB-së si dhe ambasadorë tjerë të shteteve evropiane.
“Ushtroni të drejtën tuaj, mos e shisni votën”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale, ku njëkohësisht theksohet se “demokracia është e paçmueshme. ”
Zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, janë të tetat në 29 vjet, ku qytetarët votojnë për qeverinë e tyre në formë të lirë dhe demokratike, që nga rënia e komunizmit.
Dy forcat e mëdha politike PS dhe PD, kanë qeverisur me dy mandate katërvjeçare dhe kanë qenë në opozitë secila për 8 vjet.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009.
Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për Bashkimin Evropian në vitin 2014 dhe prej asaj kohe është duke pritur vendimin e vendeve anëtare të BE-së për të nisur negociatat për anëtarësim.
Ajo ka marrë dritën jeshile për nisjen e negociatave, por megjithatë, asnjë datë nuk është vendosur se kur do të fillojë ky proces./REL/
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?