Shqipëria tërhiqet nga “pasaportat e arta”

16:13 | 16 Mars 2023
E.H

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi në Tiranë se Qeveria e Shqipërisë është tërhequr nga nisma e saj për “pasaportat e arta”, që kishte nxitur mosmarrëveshje mes shtetit shqiptar dhe Brukselit.

Në një konferencë të përbashkët për media me Borrellin, kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se Qeveria e tij do të presë vendimin e Gjykatës Evropiane lidhur me çështjen e “pasaportave të arta”.

“E kemi pezulluar procesin, deri kur të sqarohet në nivel evropian. Kjo nismë nuk nxirret më në tavolinë, pa parë si do të vendosë Gjykata Evropiane. Nëse kjo gjykatë vendos kundër, kjo do të jetë një çështje e mbyllur”, tha Rama.

“Pasaporta e artë” mund t’i jepet një shtetasi të huaj që investon një shumë të caktuar parash në shtetin përkatës.

Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, në pjesën për Shqipërinë ishte kritikuar nisma për “pasaportat e arta”.

“Skema të tilla paraqesin rreziqe në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe janë të papajtueshme me legjislacionin e BE-së. Si vend kandidat [për anëtarësim në BE], Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të tillë”, thuhej në Raportin e Progresit.

Rama e kishte përmendur për herë të parë nismën për “pasaportat e arta” më 2019 dhe opozita shqiptare vazhdimisht ishte shprehur kundër kësaj iniciative.

Në konferencën për media në Tiranë, Borrell po ashtu foli për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, duke argumentuar se Tirana ka bërë përparim për anëtarësimin në bllokun evropian.

“Jemi këtu për t’i treguar popullit shqiptar që BE-ja është më pranë jush si vend kandidat për në BE. Dua të pranoj dhe të vlerësoj se ky vend ka treguar pjekuri në të gjitha reformat, sidomos në drejtësi e cila ka ecur përpara. Institucionet shqiptare duhet të përshpejtojnë reformat”, tha ai.

Vitin e kaluar, Shqipëria, së bashku me Maqedoninë e Veriut nisën negociatat për anëtarësim në bllokun evropian.

Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë më të avancuara në rrugën e tyre drejt BE-së, pasi dy shtetet veçse kanë hapur kapituj në negociatat për anëtarësim.

Bosnjë e Hercegovina më 2022 ka marrë statusin e vendit kandidat.

Ndërkaq, Kosova është e fundit në rrugën drejt BE-së. Dhjetorin e vitit të kaluar, Prishtina aplikoi për anëtarësim në BE, ndërkaq deri më tani shteti ka nënshkruar vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në tetor të vitit 2015./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme