Justina Sinani, studente e vitit të 5-të për mjekësi të përgjithshme në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, pret të diplomohet vitin që vjen, por thotë se studimet i ka nisur me mendimin për t’u larguar nga Shqipëria.
Është akoma e pavendosur për specializimin që do të ndjekë, për shkak të, siç thotë, pasigurisë për atë që ofrohet pas këtij kualifikimi.
“Ky do të jetë momenti kur do të vendos për të qëndruar këtu në vendin tim apo për t’u larguar. Shumica prej shoqeve dhe shokëve të mi kanë nisur kurse të gjuhëve të huaja, me qëllimin për të ikur”, thotë Justina për Radion Evropa e Lirë.
Prej vitesh, studimet në mjekësi apo infermieri shihen nga të rinjtë si mundësi për ta shndërruar diplomën në një “pasaportë” për t’u larguar nga Shqipëria.
Në dekadën e fundit, sipas Federatës së Mjekëve shqiptarë në Evropë, nga Shqipëria janë larguar mbi 3.000 mjekë – 1.500 prej të cilëve drejt Gjermanisë.
Ata ankohen kryesisht për kushte jo të mira në spitale, mungesa medikamentesh dhe paga të ulëta.
Paga mesatare bruto e një mjeku në Shqipëri arrin në 110.000 lekë, apo 950 euro. Për krahasim, paga e pataksuar e mjekut në Gjermani arrin deri në 4.000 euro.
Autoritetet shëndetësore deklarojnë se Shqipëria, tash për tash, nuk vuan për mjekë dhe personel shëndetësor, por që kjo të mos ndodhë, kryeministri i këtij vendi, Edi Rama, tha më 18 tetor se duhet të merren masa.
Rama: Diploma pasi t’i shërbesh vendit
“Diplomën e mjekut nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do të shkosh njëherë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë [ai] për ty, pastaj do ta marrësh edhe diplomën dhe shko ku të duash, sipas afateve të caktuara”, tha Rama.
Nuk mund të paguajë populli shqiptar për mjekët e Gjermanisë”
Ai sqaroi më vonë se diploma do të bllokohet për tre vjet. Se kur do të nisë së zbatuari kjo masë, nuk është e qartë.
Rama tha se mjekët në shumë vende nuk i marrin diplomat menjëherë, por nuk specifikoi se për cilat e ka fjalën.
“Nuk mund të paguajë populli shqiptar për mjekët e Gjermanisë”, tha ai.
Në Shqipëri, specializimi në mjekësi bëhet me vetëfinancim. Pagesa nga shteti bëhet vetëm për një numër specializantësh, që përcakton Ministria e Shëndetësisë për nevojat e sistemit shëndetësor.
Edhe për studimet e përgjithshme në mjekësi, studentët paguajnë vetë.
Rama tha se do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që t’ia kthejë mbrapsht investimin Shqipërisë.
“Duan t’i marrin [mjekët] në Gjermani, t’i marrin, por duhet ta kthejnë investimin. E kam fjalën që Bashkimi Evropian duhet ta gjejë formën që të kthejë diçka… Nëse ne kemi mundësi edhe për vete, edhe për Evropën, nuk ka problem. Ama, ne nuk mund të jemi në këtë pozitë pasive, kjo është çmenduri”, tha Rama, duke mos shpjeguar se çfarë do të kërkojë konkretisht nga vendet e BE-së.
Sinani: Si mund të ndalohet marrja e diplomës?
Për studenten e mjekësisë, Justina Sinani, kjo nismë e tij nuk është e drejtë.
“Nuk jam aspak dakord. Si mund të ndalohet marrja e diplomës? Madje, mendoj se nëse zbatohet, do të ketë impakt negativ. Mjekësia kërkon disa vite studime, ka shumë shpenzime dhe në fund të mos na jepet diploma? Unë jam që të vendoset me vullnet të lirë, të përmirësohen kushtet, pagesat, por në asnjë mënyrë të detyrohemi të qëndrojmë duke na mbajtur peng diplomën”, thotë Sinani./rel/
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?