Shqipëria rruga e re e klandestinëve, 45 oficerë të Frontex do ruajnë kufirin me Greqinë

20:24 | 2 Qershor 2018
Trina Galanxhi

 

Drejtori i Agjencisë Europiane të Kufijve, e njohur si Frontex, konfirmon faktin se Shqipëria ka hyrë në listën e shteteve nga të cilat kalojnë emigrantët e paligjshëm.

Në një intervistë për Spiegel Online, Fabrice Leggeri, tha se në pjesën e Greqisë veriore në kufi me Shqipërinë për herë të parë do të vendosen 45 oficerë të Frontex me qëllim parandalimin e fluksit të emigrantëve.

Ai shton se është identifikuar një rrugë e re që ndjekin refugjatët nga Greqia veriore, përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë.

Në gjuhën teknike të ekspertëve ajo quhet rruga bregdetare e Ballkanit. Ky fakt është theksuar para pak ditësh edhe nga kryeministri Edi Rama.

Me 30 maj, një komisioner i lartë i OKB-së për refugjatët ka konfirmuar shqetësimin e Ramës duke u shprehur se në Shqipëri përgjatë muajve të parë të këtij viti janë ndaluar rreth 200 emigrantë, ndërsa në Malin e Zi 1200.

Në total për këtë vit, 11 mijë emigrantë kaluan detin nga Turqia për të mbërritur në Turqi.

Në intervistën për mediat gjermane, kreu i Frontex shton se në këto shtet ku kalojnë emigrantë të cilët vinë nga vende me konflikte si Siria, Iraku apo disa shtete të Afrikës mund të vendosen mesatarisht 1500 roje bregdetare për vitin 2018, çka përbën 5-fishin e shifrës së 2015.

Sipas tij, Komisioni i Bashkimit Europian ka propozuar që Frontex të ndërtojë një trupë prej 10 mijë rojesh bregdetare deri në vitin 2027.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme