Shqipëria rrezikon të mbetet pa mjekë, tani mund t’i “rrëmbejë” edhe Kosova

23:54 | 7 Prill 2019
Trina Galanxhi

Vala e re e emigracionit që ka përfshirë Ballkanin, është duke e goditur rëndë Shqipërinë pasi vendi po humbet “trurin”, pra të rinj të arsimuar dhe rritur profesionalisht këtu, që zgjedhin të “arratisen” në Europë për një jetë më të mirë.

Sipas një ankete që u zhvillua vitin e kaluar nga Instituti Friedrich Ebert, janë mjekët, rekordmenët e largimit nga Shqipëria, pasi në radhët e tyre 78% kanë shprehur dëshirën për të emigruar drejt Gjermanisë.

Në pesë vitet e fundit, 857 mjekë janë larguar nga Shqipëria, kryesisht drejt Gjermanisë, por jo vetëm, për arsye që lidhen me pagat e ulëta, denigrimin e figurës së mjekut, krizën e besimit të publikuar ndaj tyre, që ka degraduar deri në dhunë, braktisjen nga ana e institucioneve përballë kësaj dhune, mbingarkesën në punë, mungesën e pajisjeve dhe një mbrojtje më e mirë ligjore.

Reagimi i Qeverisë ndaj kësaj situate, ka qenë deri tani, një deklarim për ashpërsim të masave në Kodin Penal në lidhje me këtë dhunë ndaj mjekëve dhe asgjë më tepër, pa u futur fare në thelbin e problemit e masat që do të duhet të merren për të zgjidhur atë.

E gjendur në pak a shumë të njëjtën situatë, Qeveria e Kosovës dyfishoi pagat e trupës shëndetësore këtë vit, si një masë parësore, për të frenuar largimin e mjekëve. Pra, tashmë në Kosovë mjekët marrin paga mbi 2-3 herë më të larta se në Shqipëri, për të njëjtin rol në sistemin e shëndetësisë.

Rezultati që prekim çdo ditë e më shumë në realitetin tonë shëndetësor është se ndërsa tregu europian po rrit kërkesën për mjekë, sistemi shëndetësor shqiptar po zbrazet jo vetëm nga diferenca në paga midis Shqipërisë e Bashkimit Europian, por edhe nga mungesa e trajtimit të problemeve që e nxisin këtë eksod të bluzave të bardha.

Ndaj sipas “Monitor”masat e marra nga Qeveria “Haradinaj”, rrezikojnë Shqipërinë, pasi Kosova mund të kthehet në një qendër graviteti për mjekët shqiptarë, të cilët do të largohen të tërhequr nga ideja se do të paguhen atje me 1.200 euro, ndërsa shumë të lehtë për t’u peshkuar janë edhe infermierët, që do të paguhen tashmë e tutje përtej kufirit me mbi 500 euro.

Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë në Kosovë tha për “Monitor” se, rritja e pagave ndaj personelit mjekësor, u aplikua për të frenuar emigrimin e trupës shëndetësore drejt Gjermanisë.

Ai tha se, pas rritjes së pagave, largimi i mjekëve është frenuar dhe tani Kosova renditet ndër vendet e para në rajon për nivelin e lartë të pagave në sektorin e shëndetësisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme