“Deri tani janë mbi 15 mijë pushues, turistë vendas dhe të huaj, të cilët kanë përfituar shërbime nga strukturat, qendrat shëndetësore verore, dhe 30 përqind e tyre janë turistë të huaj, pra që vijnë nga vende të tjera dhe që kanë marrë shërbim në strukturat që ne kemi hapur në kujdesin tonë shëndetësor”, thotë Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha sot se, bashkë me Agjencinë e emergjencave civile dhe njësinë ushtarake mjekësore janë ngritur struktura të posaçme për dhënien e shërbimit në territor, duke iu ardhur në ndihmë sa më shpejt personave të goditur nga temperaturat e larta.
Vetë ministrja e shëndetësisë inspektoi sot një nga njësitë lëvizëse shëndetësore, ngritur në qytetin e Shkodrës.
“Njësitë e lëvizshme në territor, përsa i përket për valën e të nxehtit, janë nëntë. Një është në Shkodër, katër në Tiranë. Kemi në Elbasan, në Durrës, Gjirokastër dhe në Berat, ndërkohë që 18 njësi të lëvizshme të urgjencave, autoambulanca, janë të kombinuara me 30 qendra shëndetësore në mënyrë që të kemi akses më të shpejtë në shërbime”.
Sipas Shërbimit metereologjik të ushtrisë, gjatë ditëve në vazhdim, temperaturat në disa zona të Shqipërisë pritet të shkojnë mbi 43 gradë celcius.
Kolonel Elton Rezo, i cili drejton shërbimin shëndetësor pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë thotë se, në këtë situatë jo të zakonshme, ekipet shëndetësore të ushtrisë i janë bashkuar bluzave të bardha.
“Duke ndjekur shërbimin metereologjik vihet re se, këto ditë do të jenë shumë të nxehta. Dhe, qëllimi i kësaj fushate të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilës i jemi bashkuar edhe ne si forcë e armatosur, është për t’i ardhur në ndihmë popullatës në këto ditë të nxehta”, thotë ai.
Nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, deri tani nuk është regjistruar asnjë viktimë për shkak të temperaturave të larta.
Megjithatë, autoritetet po i bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet në momentet e pikut të temperaturave./VOA/