Google ADS

Shqipëria përsërit kërkesën për një bazë detare të NATO-s në territorin e saj

20:14 | 25 Maj 2022
arbresh.info

Shqipëria synon t’i paraqesë NATO-s, një projekt për ngritjen e një baze detare të Aleancës në territorin e saj, bëri të ditur të mërkurën kryeministri Edi Rama gjatë një ceremonie ku gjeneralit amerikan Tod Wolters, komandant Suprem i Forcave Aleate dhe komandant i Komandës Evropiane të SHBA-ve, iu akordua medalja “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”.

“Nesër do kemi mundësi t’i tregojmë disa prej ideve dhe në këto kohë mjaft specifike, mjaft të rrezikshme, besoj se ai përsëri do të konsiderojë, ndoshta nuk është ide e keqe, për të pasur një bazë detare të fjalës së fundit të NATO-s në Shqipëri. Na takon ne që t’i paraqesim projektin atij dhe t’i tregojmë atë për çka kemi punuar dhe ndoshta pastaj ai, sërisht, qysh prej fillimi, do jetë avokati dhe mbështetësi i kësaj ideje”.

Kjo është një ide të cilën Shqipëria e ka hedhur dhe zyrtarisht, përmes një kërkese drejtuar NATO-s, dhe pikërisht gjeneralit Wolters, që në vitin 2019, dhe që e ka përsëritur disa herë dhe më vonë. Madje autoritetet shqiptare kanë deklaruar edhe se ka nisur dialogu me NATO-n për këtë çështje.

Medalja “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, iu dha gjeneralit Wolters, si shenjë e “mirënjohjes së thellë për vizionin, kontributin dhe bashkëpunimin me forcat e Armatosura Shqiptare, si dhe për mbështetjen e rolit të Shqipërisë në ruajtjen e paqes e sigurisë rajonale”.

“Jam i privilegjuar që t’u jap këtë që është Ylli i Heroit tonë Kombëtar dhe që ka brenda Shqiponjën tonë si shprehje e mirënjohejs së përjetshme të këtij vendi ndaj jush dhe ndaj gjithçkaje që ju përfaqësoni”, – u shpreh Kryeministri Rama teksa i dorëzoi Gjeneralit Wolters, Medaljen e Mirënjohjes.

Sipas zotit Rama “forcat e Armatosura shqiptare kurrë nuk do të harrojnë se ishte, pikë së pari, gjenerali Wolters që qysh prej ditës së parë mbështeti transformimin e bazës ajrore të Kuçovës në një bazë taktike të NATO-s e gjithashtu për të avokatuar qysh prej ditës së parë e për të përkrahur e mbështetur Shqipërinë si një prej vendeve pritëse të serisë së stërvitjes Defender Europe. Edhe më shumë se kaq, ishte gjenerali Wolters i cili përkrahu dhe mbështeti qysh prej ditës së parë që Shqipëria të kishte selinë e Forcave të Përparuara të Operacioneve Speciale në Shqipëri të komandës së SHBA në Europë”.

Për kreun e qeverisë shqiptare, ceremonia për komandantin amerikan ishte një tjetër mundësi për të theksuar raportet e veçanta që Shqipëria ka me Shtetet e Bashkuara. “Sigurisht, ky është momenti për të kremtuar miqësinë më të çmuar dhe aleancën më të çmuar që ky vend ka pasur fatin të ketë dhe është i privilegjuar të ndërtojë, që është miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë është vendosur një gur themeli i ri, ku ne mund të kremtojmë raportin më të fortë e më të frytshëm midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”.

Nga ana e tij gjenerali Wolters, vlerësoi me nota të larta rolin e Shqipërisë në NATO. “Shqipëria është vëllai i madh i NATO-s, në Ballkanin Perëndimor. Vendet e tjera në rajon ngrihen çdo mëngjes dhe ajo çka bëjnë është të shohin vendin tuaj dhe të dinë se ku do të drejtohen dhe të dinë se çfarë do të bëjnë dhe kjo përgjegjësi është përgjegjësi e jashtëzakonshme”, deklaroi gjenerali amerikan./VOA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme