Google ADS

“Shqipëria, një parajsë për pastrimin e parave”, media britanike kritika amnistisë fiskale

21:00 | 24 Dhjetor 2022
E.H

Pas emigrantëve, mediat britanike kanë shënjestruar sërish Shqipërinë, këtë herë për planin e qeverisë për amnistinë fiskale e cila synon të lejojë këdo të deklarojë dhe legalizojë asete deri në 2 milionë euro pa bërë me dije origjinën e tyre.

Sipas Daily Mail ky plan do ta shndërrojë Shqipërinë në një “parajsë për pastrimin e parave” dhe për lordët e drogës në Britaninë e Madhe duke iu krijuar mundësinë të fshehin miliona euro të krijuara nga aktiviteti i tyre kriminal.

Tabloidi shkruan se edhe në këto momente është zbuluar se krerët e organizatave kriminale në Britani kanë pastruar sasi të mëdha parash përmes vilave luksoze, apartamenteve, palestrave, lokaleve apo dhe stacioneve të benzinatës të ndërtuara në Shqipëri.

Një hetim i Agjencisë Kombëtare të Krimit ka zbuluar se sasi të mëdha parash po largohen nga Britania e Madhe në vitet e fundit, me kriminelët shqiptar që renditen të parë me dërgesat e tyre në shtëpi.

Bandat e krimit të organizuar dyshohen se kanë përdorur një sërë metodash për të transportuar paratë kriminale përtej kufijve, duke përfshirë këtu dhe agjencitë e udhëtimit.

Familjet gjithashtu po përdoren si “mushka” parash, me median britanike që sjell rastin e një çifti shqiptarësh me një foshnjë 9-muajshe që u kapën me 100 mijë paund në mjetin e tyre teksa përpiqeshin të kalonin në tunelin e kanalit të La Manshit.

Amnistia fiskale është një projekt që është kundërshtuar me forcë në Shqipëri nga opozita dhe ambasadorët e vendeve partnere, pikërisht për mundësitë që ajo le të hapura për legalizimin e parave të krimit.

E megjithatë, kryeministri Rama është shprehur se nisma do të shkojë përpara duke refuzuar të gjitha paralajmërimet./A2/

Të ngjashme