Skena politike në Shqipëri është përfshirë në diskutime për zgjedhjen e presidentit të vendit, pas dështimit këtë javë për të zgjedhur në këtë pozitë një figurë unifikuese në rundin e parë.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, por as partitë më të vogla të kësaj skene nuk kanë paraqitur asnjë kandidaturë për presidentin e ri në rundin e parë të zgjedhjes në Kuvend të hënën, më 16 maj. Kjo seancë e posaçme zgjati vetëm 5 minuta, ku u konstatua mungesa e kandidaturave.
Seanca e radhës për zgjedhjen e presidentit është thirrur më 23 maj dhe deri më tani nuk ka shenja për një konsensus që do të mundësonte zgjedhjen e përbashkët të presidentit të Shqipërisë.
Kuvendi i Shqipërisë ka afat ligjor për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit deri në 60 ditë para se ai ta marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik të këtij viti – ditën kur largohet nga zyra presidenti aktual, Ilir Meta.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, insistoi që procesi i zgjedhjes së presidentit të përfshijë edhe opozitën, ndërkohë opozita ka vënë kushtet e saj për pjesëmarrje në këtë proces, të cilat, deri më tani, nuk janë përfillur nga Rama – partia e të cilit mban shumicën e Kuvendit.
Çalimi në procesin e përzgjedhjes së presidentit – një pozitë kryesisht ceremoniale, por me kompetenca në politikën e jashtme dhe të sigurisë – është edhe një dëshmi e polarizimit të skajshëm politik të Shqipërisë, ku mungesa e bashkëpunimit ndërmjet pozitës dhe opozitës ka minuar shpesh miratimin e ligjeve dhe vendimeve.
Partia Socialiste në pushtet deklaroi se është në pritje të propozimeve nga opozita për kandidatin për president të Shqipërisë, ndërkohë që zyrtarë të Partisë Demokratike ofruan një listë kriteresh për kandidatët për president dhe propozime për procedurën e zgjedhjes së tij, por nuk propozuan ndonjë emër konkret për këtë pozitë.
Enkelejd Alibeaj, kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, kërkoi të martën që zgjedhja e presidentit të bëhet bashkërisht, duke bërë thirrje për një figurë unifikuese që nuk vjen nga radhët e PS-së apo PD-së.
Ai, njëkohësisht, e akuzoi kryeministrin Rama për, siç tha, taktizim deri në rundin e katërt të votimit të presidentit, kur, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kërkohet një shumicë e thjeshtë për zgjedhjen e të parit të shtetit.
“Nuk emërohet presidenti nga ju edhe ne, edhe sikur të biem dakord”, tha Alibeaj. “Rama nuk është i sinqertë, është hipokrit, do t’i shtyjë këto tri runde që të vërë atë që do. Nuk kemi instrument tjetër veçse moralit për t’ju imponuar”, shtoi ai.
Kushtetueshmëria
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, presidenti i vendit zgjidhet në njërin nga pesë rundet e votimit nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Zgjedhja e presidentit në tri rundet e para kërkon mbështetjen e 84 deputetëve, që nënkupton zgjedhjen me votat e përbashkëta të pozitës dhe opozitës në Kuvend.
Në rundin e katërt të votimit, president mund të zgjidhet kandidati që siguron 71 vota, ose një shumicë të thjeshtë të votave në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Rama, deklaroi se në këto kushte Partia Socialiste nuk mund të ofrojë dhe të djegë kandidaturën e saj për president në tri rundet e para të votimit.
Ai tha se partia e tij do të presë deri në rundin e tretë për të zgjedhur një president konsensual, por në mungesë të një marrëveshjeje me opozitën, ajo do ta zgjedhë presidentin e ardhshëm të Shqipërisë.
“Dihet që ne nuk i kemi 84 votat e nevojshme për të kaluar rundin e parë, të dytë dhe të tretë. Ndërkohë që nuk më rezulton se ka ndonjë qartësim ideje, apo vullnet nga ana e palëve të tjera për t’u përfshirë në proces deri tani”, tha Rama.
“Nëse do të ketë ndonjë dëshirë nga pala tjetër, që mesa duket nuk ka, ne nuk do të presim pa ezauruar atë mandat që na e jep Kushtetuta”, theksoi ai.
Opozita e përçarë
Zgjedhja e presidentit e ka gjetur opozitën në Shqipëri të përçarë. Partia Demokratike është e ndarë në tri fraksione – me njërin grup që mbështet ish-kryeministrin Sali Berisha dhe iniciativën e tij për rithemelim të kësaj partie; tjetri grup ruan përbërjen e vjetër të kësaj partie dhe grupimi i tretë përbëhet nga partnerët e PD-së në koalicion opozitar, të quajtur “Aleanca për ndryshim”.
Deputeti Oerd Bylykbashi, i caktuar si negociator nga mbështetësit e ish- kryeministrit Berisha, deri më tani ka këmbëngulur në nevojën e zgjedhjes së një figure konsensuale për president.
Deputeti Fatmir Mediu, i cili përfaqëson grupin “Aleanca për ndryshim”, thotë se opozita duhet të gjejë më parë konsensusin brenda vetes.
Alibeaj përsëriti se është në pritje të përgjigjes nga shumica mbi propozimin që ai ka bërë për kriteret dhe procedurën, ku përfshihet edhe kërkesa që kandidaturat të ofrohen nga opozita dhe shumica të zgjedhë mes tyre.
Kryeministri Rama e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë.
Reshjet e dendura të shiut, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni...
Peci ngre kallëzim penal ndaj Lumir Abdixhikut e Paris Gurit...
Moti i keq me reshje shiu në Shqipëri, apel shoferëve për ku...
E transferuan gjatë verës, por Juventus është gati të ndajë ...
Tërmet në Gjirokastër
Putin paralajmëron se Rusia do të vazhdojë të testojë raketë...