Pjesëmarrja në Expo 2020 Dubai përbën herën e pestë që Shqipëria merr pjesë në një panair të tillë, që prej vitit 1937 në Paris ku vendi ynë regjistron pjesëmarrjen e tij të parë, për të vijuar me pjesëmarrjen më të fundit në EXPO 2015 të mbajtur në Milano.
Vizita në Dubai në datën 30 Maj 2019 e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Sokol Nano, në rolin e Komisarit të Përgjithshëm të Shqipërisë në EXPO 2020 Dubai dhe nënshkrimi i kontratës së pjesëmarrjes së Shqipërisë, i hap rrugë përgatitjes së vendit tonë për t’ju bashkuar EXPO 2020 Dubai.
Pjesëmarrja e vendit tonë në një event të këtyre përmasave, do të shërbejë si një mundësi e rëndësishme për promovimin e Shqipërisë si një destinacion i veçantë dhe i qëndrueshëm turistik, duke shpalosur bukuritë e vendit tonë, kulturën dhe traditën e pasur shqiptare. Një nga objektivat kryesorë do të jetë padyshim promovimi i Shqipërisë si një partner i besuar tregtar dhe i investimeve të huaja në një sërë sektorësh të rëndësishëm për vendin si energjia, turizmi, infrastruktura, bujqësia, etj.
Pavijoni ynë do të jetë simbol i identitetit kombëtar, duke pasqyruar një Shqipëri me ngjyra, të re dhe dinamike, e cila ofron një destinacion mjaft tërheqës turizmi dhe në të njëjtën kohë një destinacion për investime të huaja, duke evidentuar avantazhet dhe potencialet që Shqipëria mbart, si dhe duke reflektuar filozofinë dhe prioritetet e EXPO 2020 Dubai.
Pavijoni shqiptar do të jetë i vendosur në një nga zonat kyçe të EXPO-s, në zonën “Mobility”, e cila ka në fokus krijimin dhe prezantimin e urave lidhëse fizike dhe virtuale produktive për lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe ideve, duke siguruar qasje më të lehtë në tregje, njohuri dhe inovacion.
AIDA së bashku me Ministritë e linjës po përgatisin kalendarin me një sërë aktivitetesh dhe takimesh mbi ekonominë, investimet, turizmin, kulturën, arsimin, artin, kulinarinë etj., të cilat do të mbahen gjatë periudhës gjashtëmujore të EXPO-s, duke i dhënë gjithashtu një peshë të rëndësishme edhe të rinjve shqiptarë dhe talenteve tona nëpër botë. Gjithçka do të kulmojë me Ditën Kombëtare të Shqipërisë në datën 9 mars 2021, ku e gjithë vëmendja e EXPO-s do të jetë te Shqipëria. Kjo ditë do t’i kushtohet kryesisht aktiviteteve kulturore për të festuar identitetin kombëtar, duke shpalosur përpara një audiencë të gjerë ndërkombëtare, historinë, traditën dhe kulturën e vendit tonë, si dhe potencialet e jashtëzakonshme turistike dhe ekonomike që Shqipëria ofron.
Gjatë EXPO-s, pavijoni shqiptar pritet të tërheqë një sërë vizitorësh, nga ata kureshtarë për të njohur më mirë vendin tonë, te përfaqësues të bizneseve dhe delegacione zyrtare të shteteve, me qëllim ndërtimin dhe forcimin e urave të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Një vëmendje e rëndësishme do t’u kushtohet bizneseve, me një hapësirë të veçantë të pavijonit shqiptar, takimeve me biznese dhe investitorë, të cilët do të mund të njihen mbi mundësitë për investime dhe për të bërë biznes në Shqipëri. Me më tepër se 20% të pjesëmarrësve nga biznese dhe institucione qeveritare, EXPO 2020 Dubai, ndër të tjera, do të shërbejë si një mundësi e shkëlqyer për vendin tonë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e partneriteteve midis kompanive shqiptare dhe atyre të huaja
EXPO 2020 Dubai mbledhë mbi 190 shtete, me një numër rekord pjesëmarrësish në të gjithë historinë e Expo-s dhe për herë të parë, me përfaqësim individual të çdo vendi, nga ku shtetet do të kenë mundësi që gjatë periudhës 20 tetor 2020 – 10 prill 2021 të ekspozojnë arritjet e tyre në fusha të ndryshme.
Me më shumë se 25 milionë vizitorë që priten të prekin skenën e saj, 70% të të cilëve të huaj nga rajoni dhe e gjithë bota, EXPO 2020 Dubai synon të kthehet në një destinacion global për të gjithë, duke u bërë EXPO më e vizituar ndërkombëtarisht.
EXPO 2020 Dubai do të ofrojë një platformë që nxit kreativitetin, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, për të adresuar nevojat e shumta globale, duke pasur ndikim të qëndrueshëm në rrugën e përparimit njerëzor./atsh/
Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve mbajti taki...
Kosova në vazon e katërt në shortin e kualifikimeve për Kamp...
Hapet selia e re e Shoqatës Humanitare Bamirësie “Bereqeti”
“M’shurdhofsh”, reagimi epik i Xuxit ndaj Burimit
Aliu: Kemi eliminuar burokracinë, kemi reduktuar dokumentaci...
Oficeri i FSK-së, diplomon në SHBA