Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar dokumentin politik “Për Krijimin e një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”, i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Dokumenti analizon situatën e tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe infrastrukturën e tij, duke propozuar ndërmarrjen e planeve konkrete të veprimit për zhvillimin e tregut të kapitaleve përgjatë një periudhe 5-vjeçare.
Objektivi i përgjithshëm është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre.
Për arritjen e këtij objektivi, Dokumenti Politik merr në konsideratë një sërë faktorësh, si: përcaktimi i kushteve paraprake të zhvillimit të tregut, adresimi i sfidave dhe problematikave, identifikimi i prioriteteve për zhvillimin e tregut të kapitaleve, bashkëpunimi mes institucioneve me rol kyç për zhvillimin e këtij tregu, sigurimi i mbikëqyrjes efektive, si edhe përcaktimi i planeve konkrete të veprimit sipas prioriteteve të vendosura.
Objektivat kryesorë strategjikë të dokumentit janë: rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve të Qeverisë. Bazuar në këto objektiva, në dokument parashikohen masa dhe veprime konkrete për arritjen e tyre.
Deri tani, aktori i vetëm thelbësor i tregut të kapitaleve në anën e ofertës ka qënë Qeveria Shqiptare, si emetuesi më i madh i titujve të borxhit të emetuara në vend. Me nisjen e emetimeve të para të obligacioneve me ofertë private, bankat u kthyen në emetuesit kryesorë të këtij instrumenti financiar. Tashmë synohet zhvillimi i tregut të kapitaleve, përmes emetimeve me ofertë publike në një treg të rregulluar/Bursë.
Dokumenti i Politikave konstaton se tregu shqiptar i kapitaleve ka ende shumë hapësirë për emetues të rinj në anën e ofertës. Në këtë drejtim një listim i mundshëm i disa kompanive me kapital shtetëror apo emetimi prej tyre i obligacioneve me ofertë publike do të ishte një shembull i mirë për emetuesit e tjerë korporativë.
Për këtë nevojitet së pari identifikimi dhe vlerësimi i kompanive me kapital shtetëror si dhe një qasje konkrete për përgatitjen e tyre për listim. Dokumenti i Politikave parashikon ndërmarrjen e hapave konkretë në këtë drejtim.
Ky Dokument Politik miratohet në një moment të rëndësishëm, pasi në vend tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve të kapitalit. Ligji nr.62/2020 “Për Tregjet e Kapitalit”, i hartuar në përputhje me direktivën e Bashkimit Europian (MIFID II) dhe rregulloret e miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij kanë kompletuar tërë kuadrin e nevojshëm ligjor e nënligjor.
Krahas anës ligjore, është krijuar edhe infrastruktura e tregtimit dhe pastregtimit, me Bursën e Titujve operacionale që nga viti 2018, Regjistri Shqiptar i Titujve (ALREG), i cili vepron si Depozitar Qendror, si edhe bankat tregtare të licencuara në rolin e ndërmjetësit financiar për funksionin e nënshkrimit të instrumenteve financiare.
Të shtëna me armë në Prishtinë, arrestohet një person
Ngritët aktakuzë kundër një serbi për krime lufte në Kosovë
Berisha ka dy kërkesa para mbledhjes së përbashkët të kuvend...
Beogradi ia refuzon hyrjen në Preshevë ministrit Hajrullah Ç...
Policia zhvilloi 460 ligjërata në shkollat e Prishtinës gjat...
Sondazhi i Arbresh.info në Facebook, LVV mbi 50%