Shqipëria me shërbim satelitor, nënshkruhet marrëveshje me kompaninë amerikane

11:02 | 29 Shtator 2022
K.B

Shqipëria nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile ka nënshkruar sot një kontratë me kompaninë amerikane Satellogic USA Inc për ofrimin e shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në një njoftim në rrjete sociale, Kryeministri Edi Rama është shprehur se shërbimi i satelitëve do t’i japë fund fenomenit të ndërtimeve pa leje duke ofruar monitorim të të gjithë territorit.

Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për ndërtimet pa leje, duke nënvizuar se “beteja më e madhe dhe më e gjatë në një proces shtetndërtimi, është beteja për të ndërtuar një tërësi institucionesh që funksionojnë si pjesë e një makinerie që nuk varet nga subjektiviteti i personave të veçantë”.

“Lajmi është që do të kemi një krye-inspektorat në qiell, që nuk ka parti apo kushëri, dhe i shikon të gjitha. Me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje”, theksoi kryeministri Edi Rama, duke iu referuar nënshkrimit të kontratës së shërbimit satelitor.

Në anën tjetër, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se dy satelitë do të përdoren për të ofruar shërbime specifike satelitore.

“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, sipërfaqet e zonave të përmbytura apo djegura, rrugët e bllokuara, trashësia e borës etj., në mënyrë që të marrë masa; Policia e Shtetit do të marrë informacion për kultivimin e bimëve narkotike, prerjen e paligjshme të pyjeve dhe parandalimin e akteve kriminale; Ministria e Bujqësisë do të marrë informacion për burimet ujore, hidrovorët dhe lumenjtë; Ministria e Turizmit do të marrë informacion mbi cilësinë e ujërave; Ministria e Energjisë do të marrë informacion për rezervat e gazit dhe naftës, si dhe infrastrukturën rrugore”, tha Peleshi. /arbrersh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme