Shqipëria u ka kërkuar dje, autoriteteve kroate të mos ekstradojnë në Serbi Ismail (Ballist) Morinën, tifozin që lëshoi dronin mbi Beograd gjatë ndeshjes së famshme Serbi-Shqipëri. Ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi ka marrë kontakt urgjent zyrtar me autoritetet kompetente kroate, për të argumentuar nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, pamundësinë e ekstradimit të tij në Serbi.
Për këtë qëllim, me shkresën nr.4782, datë 28.07.2017, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kroacisë, ministri Bardhi i ka kërkuar zyrtarisht homologut të tij kroat mosmiratimin e kërkesës për ekstradim, duke vlerësuar se kërkesa për ekstradim bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
Në këtë shkresë, Ministria e Drejtësisë ka marrë angazhimin që në një kohë sa më të shpejtë, të përcjellë pranë Ministrisë së Drejtë sisë në Kroaci, të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë se jemi përpara një shkeljeje politike, për të cilën, bazuar në nenin 3 të Konventës së Këshillit të Europës “Për Ekstradimin”, nuk mund të akordohet ekstradimi.
Ministri i Drejtësisë, në kërkesën drejtuar autoriteteve kroate, ka argumentuar se në rast ekstradimi në Serbi, shtetasi shqiptar Ismail Morina rrezikon t’i nënshtrohet përndjekjes, persekutimeve apo diskriminimeve të motivuara politikisht, për shkak të shtetësisë së tij dhe gjendjes personale apo shoqërore, çka përbën shkelje të një të drejte themelore të njeriut, që duhet të pengojë miratimin e kërkesës për ekstradim.
Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar bashkëpunimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, për t’i vënë në dispozicion të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë përdorimin politik nga autoritetet serbe, të ngjarjes së ndodhur në stadiumin e Beogradit, në nëntor të vitit 2015, si dhe sjelljes çnjerëzore të tifozëve dhe personelit serb të stadiumit ndaj ekipit kombëtar shqiptar.
Nga ana e tij, edhe kryeministri Rama dhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit kanë marrë kontakte me autoritetet kroate, për të penguar ekstradimin e shtetasit Ismail Morina drejt Serbisë. Ismail Morina u ndalua në Kroaci, në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar, të lëshuar nga Serbia, e cila e akuzon atë si autor të ngritjes së dronit në Beograd, i cili solli trazirat gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Gjykata e shkallës së Parë në Kroaci është shprehur ‘pro’ ekstradimit të Ismail Morinës në Serbi, ndërsa çështja është apeluar.
AVOKATI
“Ismail Morina nuk ka kryer asnjë vepër penale për të cilën akuzohet nga qeveria serbe, dhe për këtë arsye nuk ka arsye përse të ekstradohet apo dënohet”. Ky është reagimi i Darko Butigan, avokatit kroat të Ismail Morinës, i cili në një intervistë ekskluzive për “Top Channel” sqaron gjithçka. “Historia e zotit Morina është shumë e komplikuar. Qeveria serbe kërkon që të ekstradohet, pasi do të gjykohet për akte kriminale, apo nxitje kriminale mes kombeve. Një akuzë e cila dënohet nga 1 deri në 8 vjet burg. Por në këtë rast nuk mund të themi që është kryer vepra penale e ‘nxitjes së urrejtjes’. Aktualisht në Serbi jetojnë vetëm 6 mijë shqiptarë, që do të thotë 0.8% e popullsisë. Pas ndeshjes, nuk ka pasur asnjë rast dhune apo rrëmuje mes minoriteti shqiptar dhe mazhorancës serbe”, – tha avokati. “Për momentin çështja e z. Morina është pezull dhe nuk mund të bëhet asnjë veprim. Jemi duke u përpjekur që ta mbrojmë atë. Çështja është në Gjykatën e Lartë dhe paralelisht u kemi bërë kërkesë Bashkimit Europian dhe institucioneve të tjera europiane për të siguruar mbrojtjen për z. Morinën. E kemi bërë këtë gjë pasi mendojmë se në Serbi, për shkak të kombësisë së tij shqiptare, nuk do të ketë një gjykim të drejtë”, – sqaroi avokati kroat./GSH
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...