Shqipëria pritet që këtë vit të konkretizojë kryerjen e transaksioneve të pagesave brenda sistemit SEPA, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjellas, nuk do të kenë më kosto financiare.
Hap ky që do të sjellë uljen të ndjeshme të kostove të transfertave ndërkombëtare për qytetarët shqiptarët, brenda dhe jashtë territorit të vendit.
Më 21 nëntor, Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në zonën gjeografike SEPA dhe nga 21 nëntori 2024, Shqipëria është zyrtarisht anëtare e SEPA-s!
Kështu, Shqipëria bën pjesë në grupin e parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohet SEPA-s, si një parakusht për anëtarësimin tonë në BE.
Sipas vlerësimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë, përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë janë të mëdha dhe mund të arrijnë deri në 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim.
Më konkretisht, duke u bazuar në eksperiencën e sistemit AIPS Euro, nëpërmjet të cilit Banka e Shqipërisë që nga fillim i operimit në janar të vitit 2022, i ka kursyer tregut shqiptar rreth 50 milionë euro, vlerësohet se impakti i anëtarësimit në SEPA do jetë dhe më i gjerë.
Vetë kryeministri Edi Rama e ka quajtur ketë një hap të madh në rrugën drejt BE-së pranimin e Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
“Një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjellas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025. Miliona e miliona euro të kursyera nga detyrimet mbi dërgesat, falë rritjes së besimit te Shqipëria dhe afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë drejt majës së anëtarësimit në BE”, shkruan Rama në fund të muajit nëntor në një postim në X”.
Ndërsa Guvernatori Sejko- deklaroi asaj kohe se, “ me këtë anëtarësim përmbushet me sukses një ndër ambiciet kryesore të Bankës së Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian. “Pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s shënon një moment historik për Shqipërinë, duke reflektuar vite të tëra përpjekjesh të përkushtuara dhe angazhim të palëkundur nga institucionet, sektori financiar dhe partnerët vendas për t’u përafruar me standardet dhe parimet evropiane. Përfshirja në SEPA do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke kontribuar në integrimin e saj të mëtejshëm me tregun e BE-së.”
SEPA (Single Euro Payments Area – Zona Unike e Pagesave në Euro), është iniciativë e Bashkimit Evropian, e cila u mundëson individëve dhe bizneseve të bëjnë pagesa elektronike në Euro, në mënyrë të sigurt, të lehtë, dhe efikase, duke ndjekur rregulla të njëjta ndërmjet vendeve anëtare. Megjithatë, sot zona gjeografike SEPA shtrihet edhe jashtë vendeve të BE-së.
Kështu, Shqipëria u bë pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohet SEPA-s, si një parakusht për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.
Ky vendim shënon një hap shumë të rëndësishëm, jo vetëm për integrimin e tregut tonë financiar me atë evropian, por edhe të ekonomisë sonë, pa qenë ende anëtar i Bashkimit Evropian.
Në nivel kombëtar, ky anëtarësim nxit përfshirjen financiare, redukton përdorimin e parasë fizike, zgjeron produktet dhe shërbimet e pagesave, si dhe nxit zhvillimin e teknologjisë financiare.
Ndërsa në nivel ndërkufitar, ai nxit ndërveprimin tregtar dhe lëvizjen e flukseve monetare me Bashkimin Evropian. BE-ja është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë, ku rreth 60% e tregtisë kryhet me vendet anëtare të saj dhe krijimi i lehtësirave financiare është domethënës për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare.
Gjithashtu, pjesëmarrja në SEPA iu ofron bizneseve shqiptare qasje në tregun evropian prej 450 milionë banorësh, duke iu ofruar mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre, rritjen e konkurrencës dhe përfitimin e risive./rtsh/
Patëllxhani Turk – varieteti i veçantë plot shije dhe vlera
Hirra – efektet e mrekullueshme për organizmin
Përse enët e gjakut tek gratë plaken më shpejt
Kosova mposhtet nga Zvicra në hendboll
Haradinaj padit të gjitha shtetet financuese të Speciales
Abdixhiku në Rahovec: Gjetëm qytetarë që na pritnin me entuz...