Google ADS

Shqipëria importon 1.5 milion euro energji elektrike për dy ditë

17:51 | 9 Tetor 2022
KRG

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka blerë 1.5 mln euro energji elektrike për dy ditë. Sipas procedurës është importuar 6,100 Mwh vetëm për të plotësuar nevojat e vendit për fundjavën.

Energjia është blerë me një çmim mesatar prej 252,13 euro i cili rezulton se është ulur disafish nëse e krahasojmë me disa javë më parë ku niveli i çmimeve të energjisë në bursë kapi pikun.

Niveli i ulët i ujit në Fierzë i cili tashmë rezulton rreth 270 metra si dhe mungesa e reshjeve përgjatë javës së fundit duket se ka detyruar KESH që të dalë në import për të plotësuar kërkesën e konsumatorëve në vend.

Po ashtu prurjet rezultojnë se janë pakësuar dhe në Fierzë rezultojnë se janë 70 m3 në sekondë. Ky nivel rezulton se është disa metra nën mesatatren për këtë periudhë e cila zakonisht është e shoqëruar me reshje të shumta Vetëm një javë më parë Korporata Elektroenergjitke Shqiptare në bazë të tenderit të zhvilluar ka blerë për periudhën 1-31 tetor rreth 34 milionë euro.

Sipas të dhënave në total është blerë një sasi prej 74,500 megavatorësh me një çmim mesatar prej 455.24 eurosh thuajse me një çmim dyfish më i lartë se ai i procedurës së fundit.

Qeveria shtyu për në nëntor aplikimin e fashës prej 800këh një masë që u miratua edhe nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike me arsyetimin e uljes së konsumit dhe përmirësimin e nivelit në Fierzë.

Tashmë pritshmërie janë që vendi të përfshihet nga reshjet javën e ardhshme duke ndikuar në shtimin e prurjeve në kaskadë. Sipas parashikimeve meteorologjike të IGJEUM qarqet që do të preken nga reshjet që pritet të nisin që prej darkës së të dielës do të jenë Shkodra, Kukësi, Dibra Fieri e Vlora./ABC News

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme