Shqipëri, rritet në 409 numri i rasteve me COVID-19

11:44 | 9 Prill 2020
Arbresh Info

Në 24 orët e fundit janë testuar 234 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në Shqipëri numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) është rritur në 409, me konfirmimin e 9 rasteve të reja.

Në njoftimin zyrtar ministria konfirmon se në 24 orët e fundit janë testuar 234 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19.

“Deri në këto momente janë testuar 3223 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 409 raste. Përqindja më e lartë e të prekurve janë meshkuj, me 53 për qind. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë. Gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 165”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, institucionet shëndetësore vazhdojnë punën në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.

Kujtojmë se në Shqipëri është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa masat janë shtyrë pa afat. Institucionet kanë marrë masa të shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme