Shqipëri, reshjet e shiut shkaktojnë 6 aksidente në pak orë

16:20 | 17 Qershor 2020
Arbresh.info

Gjashtë aksidente rrugore janë regjistruar në vend, si pasojë e lagështirës në rrugë dhe shpejtësisë së lartë.

Nga aksidentet 4 persona kanë mbetur të plagosur, të cilët i janë nënshtruar ndihmës mjekësore.

Problematike mbetet aksidentimi i çiklistëve, ku dy raste u shënuan në Tiranë ku shoferët u larguan nga vendi i ngjarjes.

Pak reshje në vend kanë mjaftuar që në rrugë të regjistrohen disa aksidente në një kohë të shkurtër.

Vetëm paraditen e të mërkurës (17 qershor), në Tiranë, Elbasan dhe Kavajë u regjistruan 6 aksidente. Si pasojë e përplasjeve mbetën të lënduar 4 persona, mes të cilëve ishin dy vajza të cilat lëviznin me biçikletë.

Ato u përplasën tek sheshi “Karl Topia” dhe në unazë të re nga persona ende të paidentifikuar të cilët pas përplasjes janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në Kavajë policia shprehet se në zonën e quajtur “Unaza e vjetër” ish punonjësi i policisë Murat Xhahysa ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka goditur një shtyllë, në afërsi të një karburanti.

Si shihet dhe nga këto pamje, Xhahysa lëvizte me shpejtësi të lartë. Blutë shprehen se ish polici ka mbetur i dëmtuar dhe është dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Situata më e rëndë paraqitet në qytetin e Elbasanit, ku vetëm brenda pak orësh u regjistruan tre aksidente.

Një makinë policie është përplasur në unazën jugore të qytetit, që të çon drejt Librazhdit, pranë fshatit Mengel.

Për pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i motorit, i cili është dërguar në spital në gjendje të rëndë.

Më pas në hyrje të autostradës Tiranë-Elbasan një automjet ka dalë nga rruga, ku shkak dyshohet se ka qenë shpejtësia dhe lagështira në rrugë si pasojë e reshjeve.

Aksidenti i tretë është shënuar në aksin rrugor Elbasan-Peqin, ku një ndalim i papritur i një automjeti ka bërë që të shkaktohet një aksident në seri.

Kështu në përplasje u përfshinë dhe 3 automjete të tjera. Si pasojë e përplasjes nuk raportohet për të lënduar, vetëm dëme materiale./oranews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme