Në Shqipëri u zhvilluan aktivitete në kuadër të 23 gushtit, Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Në kalanë e Porto Palermos, Autoriteti i Dosjeve kujtoi vuajtjet e qindra personave që u internuan gjatë regjimit komunist por edhe pushtuesit fashistë. Ndërsa në Malësinë e Madhe, Unioni Mbarëkombëtar i ish të Burgosurve Politikë kujtoi ngjarjen e Koplikut në Gusht të vitit 1948, ku regjimi komunist vrau dhe torturoi banorë të Malësisë.
Në Gjirin e Porto Palermos, një kala e vogël trekëndore në det, që lidhet me një rryp të hollë me tokën ruan benda vetes histori dhe dhimbje njerëzore.
Në dokumente historike e dëshmi thuhet se kalaja ishte 75 vite më parë një vend vuajtjeje për kundërshtarët politikë të regjimit komunist dhe familjet e tyre, ndërsa më herët në vitin 1942-1943 ishte një vend dënimi për shqiptarët që kundërshtuan pushtimin fashist.
“Më 23 gusht, Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, e zgjodhëm këtë kala pasi flet në tre kohë”, thotë për Zërin e Amerikës kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula.
“Porto Palermo ka histori që lidhen me ditën e viktimave të totalitarizmit në tre kohë: qoftë në kohën e luftës, qoftë në vitet e para të instalimit të sistemit komunist, njëkohësisht edhe në vitet e “Luftës së Ftohtë”, thotë ajo.
“Ky kamp u mbajt vetëm një vit. Në ekspozitën që ne kemi hapur ka një hartë që tregon vendet nga vijnë personat dhe harta përfshin gjithë Shqipërinë. Bëhet fjalë për njerëz që janë të moshave të ndryshme deri të mitur, disa prej të cilëve sot janë 80-90 vjec. Ne i kemi mbledhur dëshmitë e tyre. Janë pesë persona të mbijetuar që na kanë besuar, kanë hapur dyert e trauëms së tyre historike dhe i kanë treguar ato ngjarje që kanë ndodhur në këtë kamp”, thotë ajo.
Të mbijetuarit Lek Mirakaj, Dine Dine, Bibjan Mirakaj dhe Rudina (Dema) Mane, atëherë fëmijë e kanë rrëfyer jetën në kampin-burg të Porto Palermos, ndërsa Lek Pervizi e ka përshkuar edhe me skica të cilat janë pjesë këto ditë e një ekspozite në Kalabë e Porto Palermos.
Në ceremoninë e thjeshtë brenda mureve të kalasë kryetarja e parlamentit shqiptar, Elisa Spiropali tha se “ rikujtohen me dhimbje e respekt, 82 burrat, 62 gratë dhe 37 fëmijët, të cilët bashkëjetuan me vdekjen në birucat e kësaj kalaje, për 13 muaj”.
“Shpesh këshillohet se për të ecur përpara nuk duhet kthyer koka pas. Po aq shpesh thuhet dhe e kundërta. Që të kesh siguri dhe garanci për të mos u përsëritur e liga në të ardhmen një sy duhet mbajtur gjithherë nga e shkuara”, thotë ajo.
Zonja Spiropali premtoi më tej mbështetjen e Kuvendit për ish të persekutuarit politikë.
“Kuvendi do të bëjë më të mirën për të plotësuar e përmirësuar legjislacionin për trajtimin, dinjitetin dhe prosperitetin e ish të përndjekurve, njohjen e trashëgimisë së tyre politike, njerëzore e kombëtare, si pjesë e historisë dhe e trashëgimisë kombëtare”, thotë zonja Spiropali.
Edhe në Malësi të Madhe u kujtua sot Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.
Unioni Mbarëkombëtar i Integtimit të Ish të Burgosurve Politike të Shqipërisë solli në kujtesë ngjarjen e gushti të vitit 1948 në qytetin e Koplikut, ku regjimi i kohës vrau dhe torturoi banorë të Malësisë në përpjekje për nënshtrimin e qëndresës së tyre antikomuniste.
“Po në muajin gusht është kryer masakra e Koplikut ku janë persekutuar dhe torturuar 56 burra dhe 56 gra dhe janë vrarë pesë patriotë që i kanë dhënë kombit shqiptar, mes tyre shkencëtari Dom Aleksandër Sirdani, Dom Pjetër Cuni, luftëtari antifashist i Spanjës Taro Keci, Nik Mark Rexha dhe Sadik Ulaj”, tha kreu i Unionit të të ish të Burgosurve Politike të Shqipërisë Besim Ndregjoni .
Zoti Ndregjoni tha se, ndryshe nga Europa, e cila ka një ditë kujtese, shteti shqiptar ende nuk ka caktuar një ditë të tillë për viktimat e diktaturës, megjithëse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga rrëzimi i komunizmit.
“Mesazhi i kësaj dite është: shteti shqiptar t`i bashkohet Europës dhe të caktojë “Ditën e Kujtesës”. Parlamenti shqiptar të përcaktojë me ligj dënimin e krimeve të komunizmit si e ka kërkuar Konferenca Ipeshvnore e Shqipërisë, tre komunitetet fetare dhe Unioni Mbarëkombëtar i ish të Përndjekurve Politikë. Pa u dënuar krimet e komunizmit shoqëria shqiptare nuk do të ketë paqe, nuk do ketë drejtësi”, thotë ai.
Sipas Autoritetit të Dosjeve në Shqipëri mbi 6000 persona u ekzekutuan, gjatë regjimit komunist, me ose pa urdhër të gjykatës (kryesisht me pushkatim ose varje).
Pjesës më të madhe të tyre ende nuk u dihet vendvarrimi, ndërsa mijëra të tjerë u burgosën dhe internuan në burgjet politike dhe kampet e punës.
Persekutimi i regjimit komunist, ra edhe mbi gratë e fëmijët ku vetëm në kampin e Tepelenës në vitet 1949-1953 regjistrohen të kenë vuajtur mbi 1163 gra dhe fëmijë.
Po sipas Autoritetit të Dosjeve vetëm nga viti 1940 deri në vitin 1942, u arrestuan dhe vuajtën në kampet e përqëndrimit në Shqipëri edhe Itali nga 1369 shqiptarë që kundërshtuan pushtimit fashist./VOA/
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...
Ronaldo shënon dy gola në fitoren e Al-Nassr në Ligën e Kamp...
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presid...
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i pre...
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...