Kryeministri Edi Rama ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pas ngjarjes së rëndë ku 25-vjeçari Klodian Rasha u vra nga një punonjës i policisë.
Gjatë fjalimit të tij lidhur me rastin, Kryeministri Rama tha se ministri i Brendshëm Lleshaj i kishte paraqitur dorëheqjen që pas ngjarjes, mirëpo ai i kishte kërkuar që të mbetej në detyrë, së paku deri në kthimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“I kam thënë të më pres të kthehem sepse kam dashur ta shoh në sy, ta dëgjoj dhe të më dëgjojë e të jem bashkë me të në momentin e këtij hapi të rëndësishëm [dorëheqjes] dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjshmërisë qytetare dhe kuotën morale me të cilën e mat veten dhe detyrën e tij Sandër Lleshaj,” – u shpreh Rama duke këmbëngulur se “jo të gjithë janë njësoj”.
Kryeministri e konsideroi vendimin e Lleshajt “si vendim të një shqiptari të mirë”, i cili jep kontributin e tij për të qetësuar situatën.
Kështu pesë muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, qeveria e kryeministrit Rama do të ndryshojë ministrin e brendshëm për herë të dytë brenda një mandati.
Lleshaj u emërua ministër i Brendshëm më 28 nëntor 2018, një ditë pas largimit nga detyra të Fatmir Xhafajt. Ky i fundit qe vënë nën trysni nga opozita për shkak se i vëllai i tij rezultonte i dënuar në Itali.
Tashmë ish-ministri Lleshaj, deri në vitin 2013 ishte pjesë e Forcave të Armatosura me gradën madhore gjeneral brigade dhe zëvendës-shef i Shtabit të Përgjithshëm.
Në shtator të atij viti ai ishte kaluar në lirim dhe ishte angazhuar si këshilltar për sigurinë pranë kabinetit të Kryeministrit Edi Rama.
Hovenier: Misioni si ambasador i ShBA-së në Kosovë, ishte nd...
Prishtinë: Vetura godet këmbësoren te rruga “C”
Publikohen pamjet e para nga tregu i Magdeburgut – raportohe...
Cilave ushqime nuk mundi t’iu rezistonte ambasadori Hovenier...
Ushtarët e FSK-së kryejnë trajnimin më sfidues – “Simboli i ...
E tradhtoi shoku më i afërt? – Leo i “kërkon” llogari Gjesti...