Shqipëri, opozita kalon në mosbindje civile

10:36 | 3 Prill 2018
Arbresh.info

Opozita e Bashkuar e Shqipërisë ka mbajtur mbrëmë një mbledhje ku ka marrë vendim unanim se mosbindja civile është e vetmja formë proteste kundër Qeverisë.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, dy krerët e partive opozitare në Shqipëri, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, u kanë bërë thirrje qytetarëve të bllokojnë rrugët dhe të mos paguajnë taksën prej 5 eurosh në Rrugën e Kombit.

“Kemi dalë me një vendim unanim, në krahë të qytetarëve, të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi që po goditen, vidhen dhe përçmohen nga një bandë kriminale në pushtet”, ka thënë kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Opozita ka paralajmëruar protesta derisa taksa rrugore të hiqet, por po ashtu ka thënë se nuk ka tërheqje deri në rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Hapësira e vetme është mosbindja qytetare dhe kjo nis që këtë javë me refuzimin e çdo takse që ka rritur Edi Rama dhe me të gjithë hapat, format dhe mënyrat e mosbindjes qytetare, si forma më e lartë e veprimit politik e qytetar kundër një klike që po zbras Shqipërinë”, tha Basha.

Në anën tjetër, në orët e vona të së hënës, disa qytetarë janë mbledhur në Tiranë për të kërkuar lirimin e personave të arrestuar pas protestës në Kukës, ku protestuesit kanë shkatërruar tërësisht sportelet e pagesës në Rrugën e Kombit.

Kësaj proteste i janë bashkuar edhe disa artistë të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.

Protestuesit janë shprehur të vendosur për të vazhduar me tubimet deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore, që është lirimi i të arrestuarve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme