Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë ka marrë vendim që kopshtet dhe çerdhet të hapen më 1 qershor.
“Strategjia e rihapjes do të vijojë sipas fazave që komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar. Do të vijojmë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 qershor, protokolli i të cilave është miratuar dhe është shpërndarë për t’u parapërgatitur për këtë datë. Vlerësojmë që ky protokoll por edhe të gjithë protokollet e sigurisë duhet të zbatohen rreptësisht, pasi janë baza për ruajtjen e shëndetit të popullatës”.
Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, e cila mori pjesë sot në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Sipas ministres, faza e dytë e rihapjes do të vijojë edhe me sezonin turistik, me protokolle sigurie në funksion të mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes së qytetarëve, për të kufizuar përhapjen e COVID19.
Ministrja e Shëndetësisë kërkoi vëmendje maksimale nga strukturat e shëndetësisë në këtë situatë të fazës së dytë të rihapjes.
“Nuk duhet të harrojmë që ky virus vijon të qarkullojë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të gjitha strukturat në gatishmëri. Kemi hyrë në javën e 12 të epidemisë me mbi 1 mijë të prekur. Tashmë edhe puna bëhet më e vështirë për të gjurmuar kontaktet, ndaj duhet të intensifikohet puna nga strukturat tona të terrenit“, tha Manastirliu.
Duke paraqitur situatën e deritanishme, drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP dr. Silva Bino kërkoi rritje të ndërgjegjësimit edhe të të rinjve.
“Rritja e numrit të rasteve sidomos në Tiranë tregon se sa të kujdesshëm duhet të jemi. Është koha që të rinjtë të jenë të përgjegjshëm, që e gjithë popullata të jetë e përgjegjshme në mënyrë që të ruajmë distancën dhe rregullat e higjienës”, tha Bino.
Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, prof. Najada Çomo deklaroi se situate është e qëndrueshme, por ka raste të rënda në spital dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve.
“Duhet të jemi realistë që ka persona të shtruar në spitalin infektiv që janë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe duke pasur parasysh që kemi pasur dy vdekje brenda pak ditësh tregon për vazhdimin e gravitetit të sëmundjes, pa çka se shifra është nën 20. Por kjo shifër mund të zvogëlohet ose të shtohet në ditët në vijim. Masat e marra dhe pjesa e ruajtjes së distancimit janë elementë shumë të rëndësishëm për të ruajtur shifrat e ulëta të pacientëve të shtruar në shërbimin infektiv”, tha Çomo, raportojnë mediet shqiptare.
Prof. Tritan Kalo apeloi për vetëndërgjegjësim nga qytetarët.
“Sfida me COVID-19 ende nuk ka përfunduar ndaj masat e vetëndërgjegjësimit dhe kujdesit ndaj vetes mbeten në fuqi sot, nesër dhe në të ardhmen”, tha Kalo.
Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shqipërisë do të vijojë vlerësimin mbi baza ditore dhe 14 ditore të situatës epidemiologjike të COVID19 për vendimet e mëtejshme.
Rruga Pejë-Kullë e pakalueshme për automjete të rënda, të tj...
Barcelona del me ‘plan B’ për regjistrimin e Olmos, për katë...
Vuçiq merr kartolinë urimi nga Putin për Krishtlindje
G Bani shpreh ndjesë dhe kërkoi të lërë shtëpinë pas veprimi...
Shijoni Krishtlindjet pa rrezikuar shëndetin, ja disa këshil...
Rrëzohet një aeroplan në Kazakistan