Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shqipëri ka organizuar forumin vjetor me temë mbi zhvillimin e medias, i cili kishte si qëllim të lehtësojë dialogun profesional për disa tema të medias shqiptare, raporton Anadolu Agency (AA).
Të pranishëm në hapjen e forumit ishin përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Shqipëri, të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, përfaqësues nga organizatat e medias, ekspertë dhe studentë.
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, në fjalën e tij tha se ky forum ka interes jo vetëm vendor, por dhe rajonal.
“Ne e kemi filluar pesë vite më parë dhe kemi dëshmuar progres edhe pengesa gjithashtu. Ne besojmë se një demokraci e vërtetë ka nevojë për një shërbim të fortë së medias publike. Siç rekomandohet dhe nga raporti i ODIHR-it, legjislacioni duhet të ndikojë në shërbimin e medias publike dhe pavarësinë e saj. Publikimet e mediave po realizohen gjithmonë e më shumë në një treg të lirë dhe operatorët profesionalë synojnë të ofrojnë informacion të paanshëm për audiencat e tyre”, tha Borchardt.
Sipas tij, numri i mediave në Shqipëri është rritur në krahasim me vitet e kaluara dhe kjo është një shenjë e zhvillimit dhe rritjes në mënyrë të natyrshme.
Duke folur për sfidat dhe çështjet që duhet të adresohen, Borchardt u shpreh se përqendrimi i pronësisë së mediave e pengon profesionalizmin.
“Në rekomandimet e tij pas zgjedhjeve të vitit 2019 ODIHR nënvizoi se përqendrimi i pronës së medias duhet kufizuar me ligj. Ne ftuam një ekspert për të dhënë rekomandime mbi mënyrën se si mund të drejtohet ky problem si pjesë e zbatimit të vazhdueshëm të rekomandimeve të OSBE/ODIHR”, u shpreh Borchardt.
Ndërsa ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, në fjalën e tij e vuri theksin tek rëndësia e sundimit të ligjit në media.
“Është shumë e rëndësishme që të flasim për lirinë dhe zhvillimin e medias. Ka pasur zhgënjim sa i përket kushteve ekonomike dhe politike për të zbatuar lirinë në media. Sundimi i ligjit në sektorin e medias është mjaft i rëndësishëm dhe është shumë e rëndësishme që t’i jepet fund ndikimit të politikës në media dhe mungesës së transparencës”, tha Soreca.
Soreca theksoi se “Mbështetja jonë është e madhe ndaj lirisë së medias. Bashkë me Këshillin e Evropës kemi prezantuar projektin tonë të përbashkët sa i përket lirisë së medias. Me anë të këtij programi ne dëshirojmë që sistemi gjyqësor të aplikojë jurisprudencën e duhur në fushën e lirisë së shprehjes”, theksoi Soreca.
Forumi mbi zhvillimin e medias, i cili organizohet për të pestin vit radhazi u përqendrua në disa tema, si në situatën e medias dhe e gazetarëve në Shqipëri, ndryshimet e ligjeve që lidhen me rregullimin e medias dhe e ardhmja e medias publike në Shqipëri.
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...