Shqipëri, Integrimi në BE, miratohen 3 marrëveshje ndërkufitare

16:14 | 3 Korrik 2024
E.G

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi të mërkurën tre marrëveshje ndërkufitare për zhvillimin rajonal. Fokusi i marrëveshjeve është integrimi mes zonave ndërkufitare, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Nga marrëveshjet parashikohen fonde në formën e granteve, të cilat kanë 3 programe prioritare. Përmes projekteve synohet ulja e pabarazisë dhe integrimi i butë mes zonave kufitare, qoftë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, qoftë me vendet e Bashkimit Evropian.

E pranishme në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, për prezantimin e marrëveshjeve ishte drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (Saspac), Jona Suli. Ajo tha se nga tre marrëveshjet përfitojnë të 12 qarqet e vendit dhe në fokus është integrimi social dhe ekonomik i rajoneve ndërkufitare me vendet fqinjë dhe ato të Bashkimit Evropian. Prioritet janë inovacioni, axhenda e gjelbër dhe nxitja e zhvillimit ekonomik të rajoneve ndërkufitare.

“Të treja këto marrëveshje janë një hap në bashkëpunimin tonë rajonal dhe në zhvillimin e një Axhendë të përbashkët ekonomike sociale dhe mjedisore, e përafruar me vendet e tjera të rajonit dhe BE”, tha Suli.

“Kjo sjell përfitime të përbashkëta nga zbatimi i këtyre marrëveshjeve në kuadrin e bashkëpunimit rajonal të asistencës së ofruar nga BE”, shtoi Suli.

Sipas saj, nga marrëveshje me Maqedoninë e Veriut përfitojnë tre qarqe: Dibra, Elbasani dhe Korça, teksa nga dy marrëveshjet e tjera përfitojnë të 12 qarqet.

“Në programin ndërkufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut vlera e fondit është 11.9 milionë euro për të dy vendet, ndërsa buxheti total do të jetë 13.79 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe programi i bashkëpunimit ndërkufitar ka lehtësuar zbatimin e 10 projekteve me fokus krysore sipërmarrjet, mjedisin dhe turizmin”, nënvizoi Suli.

Thirrja për të marrë grante do të jetë e hapur dhe me akses për të gjithë të interesuarit. Përfitues të këtij programi janë autoritete vendore, persona juridike, OJQ, sipërmarrës ekonomik të vegjël apo të mesëm. Pushtete vendore, institucione, agjencitë e zhvillimit dhe shoqatat e biznesit, fermerëve etj.

Aplikimet për projektet do të jenë të hapura dhe për akses. Vendet pjesëmarrëse do të ngrenë një sistem të përbashkët menaxhimi, koordinimin dhe mbikëqyrjen e programit. Në rastin e Shqipërisë, autoriteti kombëtar për këtë program, është ngritur tek Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Për çdo projekt që do të zbatohet gjatë periudhës 2021-2027, përfituesiet do të përjashtohen nga TVSH, tarifa doganore e importit të akcizave apo taksat e tjera. Marrëveshja parashikon 90% grante të BE, 10% grante nga shteti shqiptar./atsh/

Të ngjashme