Shqipëri, hapet kufiri me Greqinë

16:50 | 4 Nëntor 2017
Arbresh.info

Kalimi në pikën kufitare të Kakavijës u zhbllokua pas mesditës së të shtunës, pasi bllokoi qindra udhëtarë që prej mbrëmjes së të premtes, të cilët u detyruan të kalojnë natën në automjete.

Si pasojë e fluksit të krijuar në kufi pas këtij problemi, kalimi iu lejua vetëm personave me leje qëndrimi në Greqi, por prej orës 6 të mëngjesit u bllokuan edhe vet shtetasit grekë.

Pala shqiptare sqaroi se sistemi kompjuterik u bllokua për shkaqe teknike, gjë që ndodhi në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Greqisë, përfshirë edhe ato me Maqedoninë dhe Turqinë.

Diçka e tillë u konfirmua edhe nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, që shkoi në Kakavijë për të parë situatën. Ai siguroi se ngjarja nuk ishte e qëllimshme, pasi pati një komunikim intensiv me homologun e tij grek, Nikos Kotzias, dhe me ministrin e Brendshëm grek, Nikos Toskas, mbi zgjidhjen e situatës në pikat kufitare me Greqinë.

Për shkak të problematikës me rënien e sistemit në të gjithë Greqinë, mes ministrit Bushati dhe ministrit Toskas u ra dakord që të nisë lëvizja, duke mundësuar skanimin e pasaportave.

Ndërkohë, përfaqësuesi i MEPJ-së, Glevin Dervishi ishte vet në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, kur njoftoi arritjen e zgjidhjes provizore.

“Jam këtu me kolegët e Ministrisë së Brendshme dhe me konsullin tonë në Janinë. Dëshirojmë të informojmë dy gjëra. Jemi përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, ministri Bushati së bashku me ministren Kumbaro, që nga momenti që ju ka takuar juve këtu, kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet greke, e konkretisht me ministrin e Jashtëm Kotzias dhe atë të Brendshëm. Ju konfirmojmë edhe nga burimet tona se është një problem sistemi në të gjitha anët ku Greqia ka hyrje-dalje me zonat jo ‘Schengen’, pra edhe me Maqedoninë dhe Turqinë. Megjithatë kemi arritur të gjejmë një zgjidhje provizore. Që nga ky moment ka filluar lëvizja. Ju mund të vazhdoni në pikën e kalimit kufitar, do të mbahen shënim pasaportat tuaja, do të regjistrohen e më pas kur sistemi të fillojë me kapacitet të plotë, ato do të regjistrohen. Kjo është një zgjidhje teknike gjatë kësaj periudhe, derisa të marrë një zgjidhje përfundimtare”, është shprehur Glevin Dervishi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme