Google ADS

Shqipëri-Greqi masa për përballimin e fluksit

14:44 | 11 Mars 2017
Arbresh.info

Drejtori i Pergjithshem i Kufirit Genc Merepeza dhe homologja e tij greke Zacharoula Tsirigoti inspektuan pikën e kalimit të Kakavijës për masat e përbashkëta në prag të fluksit të pritshëm të Pashkëve.

Duke iu referuar çështjes së ndjeshme të qytetareve shqiptarë të kthyer masivisht prej policisë greke pasi ju është refuzuar hyrja në shtetin grek në disa periudha gjatë vitit të shkuar, zyrtarja greke e policisë tha se të dy palët janë duke punuar që procedurat dhe kriteret e Shengenit të jenë të qarta për autoritetet në të dy anët e kufirit dhe informacioni për qytetarët të jetë i shpejtë dhe i qartë.

“Greqia është vend i BE dhe një vend që zbaton marrëveshjen e Shengenit. Qëllimi i takimit të sotem dhe disa takimeve të mëparshme mes autoriteteve greke dhe shqiptare është njohja e problemeve dhe gjetja e mekanizmave për të përmirësuar aspekte të caktuara të bashkëpunimit. Gjatë inspektimit në palën greke ne do të njihemi edhe një herë me kriteret e hyrjes në Greqi sipas marrëveshjes së Shengenit dhe do të shohim së bashku çfarë mund të përmirësojmë në praktikën e përpunimit të dokumentacionit për qytetarët shqiptarë. Unë nga Athina dhe kolegu im nga Tirana jemi të gatshëm të takohemi sa herë të jetë e nevojshme për të arritur nivelin e synuar të bashkëpunimit”, tha Zacharoula Tsirigoti, drejtore e policise kufitare greke.

Kreu shqiptar i Kufirit dhe Migracionit tha se policia shqiptare është e përgatitur të përballë fluksin e pritshëm për Pashket dhe të dy palët janë të angazhuara për të punuar së bashku edhe për sfidat e tjera që kërkon menaxhimi i kufijve, ndalimi i personave të kërkuar prej Interpolit apo parandalimin e krimit të organizuar dhe trafiqeve.

Duke iu referuar rasteve të kapjes së marijuanes prej policisë kufitare greke, Merepeza tha se sasia e kapur nga të dy palët është e konsiderueshme dhe flet për nivelin e lartë të bashkëpunimit mes policive tona.

“Ne punojmë bashkë për të luftuar të keqen. Bashkë do inspektojmë dy pikat e kalimit në të dy anët e kufirit për të dhënë mesazhin që të dyja policitë do të jenë në shërbim të qytetarëve për të patur një kalim të qetë në pikat e kalimit për të lhetësuar procedurat që të mos vonohen shumë në radhë, duke pasur parasysh se kemi para festat e pashkëve dhe sezonin veror”, tha Genc Merepeza.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme