Viti 2018 pritet të jetë viti që do të zgjidhë çështjet që kanë tensionuar marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.
Marrëveshja për detin Shqipëri-Greqi, nuk i jep asnjë pale avantazhe, për këtë flet ligji ndërkombëtar i detit.
Shqipëria dhe Greqia po ecin drejt një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes tyre. Dy vendet fqinjë, me një histori të trazuar që nga Lufta e Dytë Botërore, po negociojnë një paketë marrëveshjesh mes tyre. Ka vullnet politik dhe shpresë nga të dyja palët se viti 2018 do të zgjidhë çështjet që kanë tensionuar dhe helmuar marrëdhëniet mes tyre për më shumë se 70 vjet. Perspektiva europiane e Shqipërisë, paqja dhe stabiliteti në rajon janë karburanti drejt këtij kapitulli të ri.
Dy kryeministrat, Edi Rama dhe Aleksis Tsipras, shfaqen në një linjë kur, pas takimit të tyre në Samitin e Londrës, në kuadër të Procesit të Berlinit, shprehën bindjen se “së shpejti mund të arrihen zgjidhje pozitive për këto ҫçështje.” Dhe fjala është për një paketë çështjesh në tri drejtime: e shkuara, e tashmja, e ardhmja mes dy vendeve dhe popujve.
E shkuara: Heqja e Ligjit të Luftës nga Greqia, hap pozitiv kuptimplotë
Mirëkuptim nga dy palët! Le të zgjidhim, në krye të herës, ҫështjet që trashëguam nga historia. Greqia hedh një hap kuptimplotë: zotohet të abrogojë Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Ky ligj famëkeq, i miratuar në tetor 1940, kur Italia e Musolinit sulmoi Greqinë nga territori i Shqipërisë së pushtuar prej tij në pranverën 1939, është “de jure” sot e kësaj dite në fuqi. Më konkretisht: ky ligj do të thotë që Shqipëria për Greqinë është një vend armik! Armiqësi paradoksale ndaj një vendi anëtar të NATO-s, me të cilin në 1996, Greqia nënshkroi Traktatin e Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë!
Paradoksale që tre vjet pas këtij traktati, në 1999, Greqia i bëri me dije Ministrisë së Jashtme të Shqiqërisë se “Ligji i Luftës është në fuqi.” Situata tani ka ndryshuar, Greqia ka evoluar 360 gradë qëndrimin e saj.
Glevin Dervishi, këshilltar për rajonin në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, thotë për DW: “Pala greke ka arritur që në negociatat e tanishme me palën shqiptare të kuptojë që Ligji i Luftës me Shqipërinë është një relike e historisë. Ajo është zotuar që abrogimi i tij të jetë pjesë e paketës së marrëveshjeve me Shqipërinë. Greqia na ka vënë tanimë në dispozicion një draft të abrogimit të ligjit, që duhet të bëhet me dekret nga Presidenti i Greqisë”, thekson Glevin Dervishi.
Fund sekuestros 78 vjeçare të pronave të shtetit dhe shtetasve shqiptarë në Greqi
Abrogimi nga Greqia i Ligjit të Luftës me Shqipërinë do të nxjerrë nga ngërҫi i stërgjatur marrëdhëniet mes dy shtetevedhe dy popujve fqinjë. Ai do të bëjë të mundur së pari heqjen nga sekuestro preventive e pronave të shtetit dhe shtetasve shqiptarë, që vazhdon që nga 1940. “Abrogimi i Ligjit të Luftës me Shqipërinë do të shoqërohet edhe me akte të tjera juridike, ku do të përcaktohen mënyrat dhe mekanizmat sesi shteti dhe qytetarët e Shqipërtisë do t’u drejtohen institucioneve e organeve, të përcaktuata nga autoritetet greke për të provuar pronësinë e tyre dhe fituar të drejtën e marrjes së saj, në bazë të dokumentave zyrtare që disponojnë”, thotë për DW, Glevin Dervishi.
E tashmja – Marrëveshja e Detit: asnjë palë me avantazhe, negociata për win-win
E tashmja e marrëdhënieve mes dy vendeve është përqëndruar tek arritja e Marrëveshjes së Detit. Eshtë fjala për Detin Jon, ku Shqipëria dhe Greqia ndajnë mes tyre 3 hapësira: Det Territorial, Shelf Kontinental dhe Zonë Ekonomike Ekskluzive, këto dy të fundit kanë të bëjnë me shfrytëzimin e hapësirës dhe pasurive nëndetare si kërkimet për gaz, naftë etj. Kuptohet që për të 3 këto hapësira vendet kanë interesa strategjike.
Si ndahen ato në Detin e përbashkët Jon? Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, që dy vendet e kanë ratifikuar, e thotë qartë me 320 nenet e saj. Zbatimi i Konventës bën të mundur që dy vendet të ushtrojnë sovranitet të plotë dhe të drejta sovrane secili në një zonë të përcaktuar qartë, me koordinata detare, të vendosura në një hartë të dakordësuar dhe të shoqëruar me koordinata detare për 3 hapësirat. Në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë ka një pjesë, ku koordinatat detare në hartë mungojnë.
Për këtë po negociohet tani mes dy palëve, thotë për DW, Glevin Dervishi. “Kufiri i Detit Territorial Jon në kanalin e Korfuzit nuk ka një kufi të përcaktuar sipas kritereve të Konventës dhe të dakordësuar nga palët. Ajo që po bëjmë sot është negocimi për delimitimin e zonave detare në këtë zonë, sipas kritereve që përcakton Konventa”, thekson ai.
Negociatat vazhdojnë. Marrëveshja ende nuk po duket. Ka thënie dhe kundërthënie mes palëve. Kryeministri grek Tsipras, pas kthimit në Athinë nga Samiti i NATO-s, të zhvilluar në Bruksel, (11-12 korrik), 2018 tha në një konferencë shtypi, sipas materialit që Ambasada Greke në Tiranë, vuri në dispozicion të DW, se “jemi shumë afër një zgjidhjeje në lidhje me përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike, duke ofruar avantazhe të rëndësishme për palën greke”.
Në këtë pretendim, kryeministri Tsipras është në një linjë me opozitën e djathtë në Shqipëri. Ish-kryeministri Berisha akuzoi ditët e fundit kryeministrin Rama se me marrëveshjen që po negociohet tani “në mungesë të plotë transparence i ka falur Greqisë fushat më të mëdha të gazit dhe naftës të detit Jon”. Avantazhet apo ndryshe falja e hapësirës detare Greqisë ka qënë një nga argumentat kryesore të Gjykatës Kushtetuese, kur ajo hodhi poshtë në vitin 2010, Marrëveshjen e Detit, të arritur kur kryeministër ishte Berisha dhe opozita e sotme ishte në pushtet.
Gjykata Kushtetuese mori parasysh kërkesën ankimuese të socialistëve, atëhere në opozitë, dhe me votë unanime e rrëzoi marrëveshjen si “antikushtetuese, që karakterizohet nga moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve dhe arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm”. ( Vendim i i Gjykatës Kushtetuese, Fq. 44).
Opozita e sotme vazhdon ta quajë edhe sot e kësaj dite “korruptiv” vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010. Ministri Bushati i deklaroi DW se “ka një strategji të qartë, të orkestruar për të mbajtur peng dhe mos lejuar që marrëdhënia shqiptaro-greke të ҫlirojë energjinë që mundet”. Gjithsesi a ka gjasa që marrëveshja që po negociohet të mos jetë win-win por win vetëm për palën greke?
Glevin Dervishi thotë për DW: “Procesi i negociatave për ndarjen e zonave detare mes dy vendeve udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare, nga Konventa mbi të Drejtën e Detit, nga parimet e të Drejtës Kushtetuese dhe legjislacionet respektive. Të njëjtin proces Shqipëria ka bërë dhe me Italinë në vitet 1980-1990, sipas kritereve që përcakton Konventa për sovranitetin dhe të drejtat sovrane”.
E ardhmja – Marrëveshje e re partneriteti strategjik mes dy vendeve
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditimir Bushati është optimist për rezultatet e negociatave lidhur me Marrëveshjen e Detit. Ai i tha DW në Tiranë se “jemi në rrugë të mbarë për të arritur një marrëveshje që do të jetë e zbatueshme, e drejtë dhe shumë më e mirë se ato që kemi parë në të shkuarën”. Kreu i shtetit, Presidenti Meta është në dijeni të ecurisë së negociatave dhe ka dhënë autorizimin për vazhdimin e tyre. Vullneti politik i palëve është përtej paketës së negociatave. Nga zgjidhja e paketës tri dimensionale të çështjeve ai shkon drejt ngritjes së nivelit të bashkëpunimit me nënshkrimin e një marrveshjeje, traktati të ri të partneritetit strategjik.
Zhvillimet e muajve të fundit janë në favor të një marrëveshjeje të tillë. Greqia u bë një nga avokatet më të vendosura të Shqipërisë, krahas Gjermanisë dhe Italisë, për hapjen e negociatave të anëtarësimit, në qershor të vitit 2019. Vullneti i saj politik për të zgjidhur divergjencat me Shqipërinë para hapjes së negociatave është vlerësuar nga Komisioni Europian për vetë interesin strategjik të BE, për afrimin e rajonit me BE, në një situatë, ku mbetet i pranishëm rreziku i destabilitetit dhe rritjes së ndikimit rus. Greqia dhe Shqipëria, po ecin drejt rezultatesh konkrete për fqinjësi të mirë, forcim të paqes dhe stabilitetit./DW
Rama: Kemi larguar autolarjen duke eliminuar kështu pengesën...
Anisa: Driloni më ka treguar se me Sarën e ka pasur lojë
Skandal i madh në Mal të Zi, dyshohet se referi e goditi me ...
Xheneta-Gjestit: Baju, nuk dua të flas me ty
Kumbaro ndan pamje nga Përmeti
Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet...