Google ADS

Shqipëri, fizioterapisti i verbër shëron muskujt vetëm me prekje

23:23 | 28 Prill 2019
Arbresh.info

Kujtimi nga Tirana, dikur e shihnte botën si të gjithë ne, ndërsa tani jeton vetëm me format dhe ngjyrat e së shkuarës. Ai na tregon se diellin e ka parë në 16 vitet e para të jetës së tij. Ishte degjenerimi i retinës, ajo që i mori dritën e syrit dhe e la të verbër.

“Pak a shumë ka mbetur ajo imagjnatë, ka mbetur ora para disa vitesh. Është diçka që më ka ardhur ditë pas dite. Në një moment unë e kisha të vështirë të shkruaja, të lexoja, pastaj nuk shkruaja dhe as lexoja fare. Në një moment e kisha të vështirë të ecja vetëm, pastaj nuk ecja vetëm fare. Ka ardhur ditë pas ditë, pra e kam pranuar duke ardhur, nuk është se mbylla sytë dhe më iku shikimi”, rrëfen Kujtimi.

Kujtimi ka përfunduar dy fakultete, atë të Drejtësisë dhe të Shkencave Mjekësore Teknike. Prej 7 vitesh ushtron profesionin e fizioterapistit. Shqisa e të prekurit e ndihmon atë të njohë problemet muskulare në trupin e pacientit.

“Ata që më njohin kanë besim tek unë, sepse kjo vjen bashkë me eksperiencën. Asnjë njeri nuk mund të thotë që kam besim te dikush pa e provuar”, shprehet Kujtimi.

Kujtimi është baba i një djali 5-vjeçar. Ai thotë që kjo është stina më e bukur e jetës së tij.

“Deri më tani më duken si ato 4 stinët e vitit. Fëmijëria ka qenë pranvera, kjo periudhë është vera. Presim vjeshtën dhe dimrin, por shpresoj të kem sërish pranverë. Nuk e di, vitet e ardhshme i shoh si dimër”, thotë ai.

Edhe pse Kujtimi nuk e sheh diellin, ai gjithnjë rend pas dritës./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme