Do të jetë 16 Janari data kur do të fillojnë takimet mes grupit të negociatorëve për këtë vit mes Shqipërisë dhe negociatorëve të BE-së për kapitullin e institucioneve demokratike.
Sipas kryenegociatores shqiptare Majlinda Dhuka kemi të bëjmë me fazën përgatitore të negociatave, ku KE-ja përmes drejtorive të ndryshme i shpjegon Shqipërisë direktivat.
Dhuka ka deklaruar se Shqipëria ka bërë progres edhe më shumë se vendet e tjera të rajonit. Sipas saj nëse e krahasojmë me Maqedoninë e Veriut, vihet re se Shqipëria në shumicën e kapitujve performon më mirë.
Nën kryesimin gjashtëmujor suedez të BE-së, takimet në kuadër të procesit të rishikimit të legjislacionit pritet të jenë të ngjeshura.
Më 15 Shtator 2022, Komisioni Europian nisi zyrtarisht procesin e Screening-ut me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ekzaminimi analitik i legjislaturës së BE-së (Acquis), i ashtuquajturi procesi Screening, qe u mundëson vendeve kandidate të njoftohen me ligjet dhe standardet e BE-së dhe detyrimet që ato sjellin.
Ai gjithashtu mundëson që të shqyrtohet niveli i gatishmërisë së vendeve dhe planet për përafrimin e mëtejshëm dhe në këtë mënyrë për të marrë indikacione paraprake për çështjet që me shumë gjasa do të paraqiten gjatë negociatave.
Screening-u është hapi i parë në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Procesi i Screening-ut është i strukturuar përgjatë gjashtë klasterëve tematikë.
Këto klasterë përfshijnë kapitujt përkatës të Legjislaturës evropiane së bashku me tema të gjera që lidhen me qeverisjen e mirë, tregun e brendshëm, konkurrencën ekonomike dhe lidhshmërinë.
Komisioni Europian do të vlerësojë dhe do t’i raportojë Këshillit për shkallën e gatishmërisë së një vendi kandidat për një klaster të caktuar, mbi planet e vendit kandidat për përgatitjet e ardhshme dhe për indikacionet paraprake të çështjeve që me shumë gjasa do të paraqiten gjatë negociatave.
Këshilli do të vendosë, me unanimitet, nëse do të përcaktojë standardet fillestare për çdo klaster negociator, në bazë të propozimit të Komisionit në raportin e Screening-ut.
Brenda disa muajve do të duhet të propozohet dhe miratohet me gjasa çelja e kapitujve të parë të bisedimeve.
Vendimmarrja deri në arritjen e anëtarësimit të plotë të vendit tonë në BE do të bazohet në merita individuale për realizimin e reformave të kërkuara.
Prioritet sipas kushteve të këshillit evropian ka thellimi i reformës në drejtësi me krijimin e një historie ndëshkimesh zyrtarësh të lartë bazuar në vendime të formës së prerë nga gjyqësori shqiptar.
Nga gjithë përvoja e BE-së deri tani, bisedimet më të shpejta i ka realizuar Austria, Finlanda dhe Suedia, në pak më pak se dy vjet, ndërsa Kroacisë iu deshën pak më pak se tetë vjet nga fillimi i negociatave për t’u bërë anëtare e plotë e bllokut./KlanNews/
Uria në mes të natës – arsyet shëndetësore pse ndodh
Pse yjet shkëlqejnë më fort në male?
Frutat e thata ndihmojnë me kancerin e gjirit?
Tifozët mendojnë se kanë gjetur ‘arsyen e vërtetë’ pse Vinic...
Hakerët kinezë vënë në objektiv familjen Trump dhe këshillta...
Protesta e opozitës, Berisha: Shqipëria u paralizua, për tri...