Google ADS

Shqipëri, 60% e popullsisë jeton në zonat bregdetare

21:18 | 9 Gusht 2019
Trina Galanxhi

Ekosistemet bregdetare të Shqipërisë janë nën një trysni të konsiderueshme. Rreziqet lidhen me humbjen e biodiversitetit dhe të habitateve natyrale, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e njeriut, zinxhirin ushqimor dhe në disponueshmërinë e resurseve natyrore për zhvillimin ekonomik.

Sipas një studimi të bërë nga UNDP dhe INCA për planin strategjik lidhur me zonat e mbrojtura bregdetare shqiptare, kjo situatë vjen si rrjedhojë e kombinimit të disa faktorëve:

  • Mangësitë në menaxhimin e mbetjeve. Afërsisht 60% e popullsisë jeton në zonat bregdetare. Mbetjet inerte kanë pësuar një rënie të konsiderueshme si pasojë e mbylljes së shumë industrive, por ka pasur një rritje të mbetjeve urbane të shkaktuara nga zhvillimi i turizmit, kryesisht përgjatë bregdetit të Adriatikut.
  • Zhvillimi i bregdetit prej turizmit dhe urbanizimit është intensifikuar gjatë viteve të fundit. Kjo ka sjellë rritje të popullsisë, e cila shkakton degradimin e ekosistemeve, rritjen e erozionit, shtimin e shkarkimeve të ujërave të ndotura në det, në mungesë të ndërtimit të rrjeteve adekuate të kanalizimit, humbjen dhe fragmentarizimin e habitateve natyrore, si dhe rrezikimin e specieve në zhdukje.
  • Zhvillimi i akuakulturës mund të sjellë humbje të habitateve të rëndësishme bregdetare. Përdorimi i antibiotikëve apo mbledhja e masës fekale ndikojnë në cilësinë e dobët të ujit.• Një faktor shumë i rëndësishëm që rrezikon ekosistemet ujore është ndryshimi klimatik, i cili i ka dhënë efektet e tij tashmë në Mesdhe. Pasojat e ndryshimit të klimës për zonën bregdetare mund të jenë shumë të rënda. Për shembull: nivelet globale të detit sipas projeksioneve janë parashikuar të rriten me 0.28-0.98 metra. Vetëm ky efekt i ndryshimeve klimatike do të sjellë pasoja të mëdha në zonën bregdetare nëpërmjet humbjes së sipërfaqes së tokës, shkatërrimit të ekosistemeve dhe ndikimit në veprimtarinë ekonomike të qyteteve e fshatrave bregdetare. Disa nga këto ndryshime janë: rritja e temperaturave të ajrit dhe e sipërfaqes detare; ndryshimet mesatare dhe reshjet ekstreme; ndryshimet në frekuencën e intensitetit të stuhive; rritja e nivelit të detit; acidifikimi në oqean. Aktualisht, disa nga territoret e rrezikuara nga këta faktorë në bregdet, janë:
  • Bashkia e Shkodrës, ku janë të pranishme rreziqet natyrore në nivel kombëtar, si: shkarje masive në zonën e malit të Rrencit dhe përgjatë fushës së Gjadrit. Problematikë tjetër që vërehet në zonën bregdetare të bashkisë Shkodër është dhe rreziku i futjes së ujit të kripur në zonën e plazhit të Velipojës.
  • Bashkia Lezhë, ku si zonë e kërcënuar shihet ajo e grykëderdhjes së lumit Drin nga Balldreni i Ri deri në zonën e Tales, nga erozioni detar dhe përmbytjet e bregdetit (nga ishull Shëngjini) deri në grykëderdhjen e lumit Mat. Gjithashtu, futja e ujit të kripur në zonën e ishull-Shëngjinit dhe erozioni detar nga grykëderdhja e lumit Drin deri në grykëderdhjen e lumit Mat rrezikojnë përmbytjen e tij.
  • Bashkia Kurbin rrezikohet nga përmbytjet e lumit Mat që nga Shkopeti deri në grykëderdhje, po kështu erozioni detar dhe përmbytjet nga bregdeti janë të pranishme nga grykëderdhja e lumit Mat deri në grykëderdhjen e lumit Ishëm, nga Fushë-Kuqja deri në grykëderdhjen e lumit Ishëm. Zona të rrezikuara nga rrëshqitjet janë Gallata dhe Vinjolli.
  • Bashkia Durrës rrezikohet nga përmbytjet e lumit Ishëm, baseni i lumit nga Dreven deri në grykëderdhje; rrezikohet nga përmbytjet e lumit Erzen, baseni nga Pjezga deri në grykëderdhje. Po kështu, rrezikohet nga përmbytjet detare zona nga grykëderdhja e lumit Erzen deri te Rina (Kepi i Rodonit) dhe nga Kepi i Rodonit deri në Porto Romano; rrezikohet nga erozioni detar Kepi i Rodonit në pjesën jugore dhe Bishti i Pallës në zonën jugore; rrëshqitje ka përgjatë Kepit të Rodonit dhe nga Shkallnuri deri në Seferaj.
  • Bashkia Kavajë rrezikohet prej erozionit detar nga Karpeni deri në Kalanë e Turrës; ka rrëshqitje në Kryemëdhenj dhe Seferaj.
  • Bashkia Rrogozhinë rrezikohet nga përmbytjet e lumit Shkumbin baseni nga Sinaballaj deri në grykëderdhje; rrezikohet nga shkëputjet aktive nga Domeni, Spilleja, Grethi.
  • Bashkia Divjakë është e rrezikuar nga shkëputjet aktive nga Divjaka deri në Karavasta.
  • Bashkia Fier, ku rrezikohet nga përmbytjet e lumit Seman baseni nga Kallmi i Vogël deri në grykëderdhjen e lumit nga baseni i lumit Vjosë; rrezikohet nga përmbytjet pjesa e basenit nga bashkia Fier, zona e Drenovës deri në grykëderdhje; vija bregdetare rrezikohet nga hyrja e ujit të detit, erozioni detar dhe nga përmbytjet e bregdetit.
  • Bashkia Vlorë, nga grykëderdhja e Vjosës deri në Triport rrezikon nga erozioni detar dhe përmbytjet e bregdetit; pjesë e basenit të lumit Vjosë nga pjesa e bashkisë Vlorë rrezikohet nga përmbytjet lumore; në pjesën jugore të qytetit të Vlorës puset karstike rrezikohen nga futja e ujit të kripur nga deti; zona bregdetare rrezikohet nga rrëshqitjet masive; nga Kepi i Stillos deri në Palasë zona bregdetare është e rrezikuar nga erozioni detar.
  • Bashkia Himarë, bregdeti është i rrezikuar nga erozioni detar, zona bregdetare rrezikohet nga rrëshqitjet masive; në gjirin e Palermos dhe në Qeparo rrezikohet hyrja e ujit të kripur nga deti; nga Borshi deri në Lukovë ka rrëshqitje.
  • Bashkia Sarandë, nga Nivica deri në Sarandë rrezikohet nga rrëshqitjet; vija bregdetare rrezikohet nga erozioni detar, zona bregdetare rrezikohet nga rrëshqitjet.
  • Bashkia Konispol, vija bregdetare është e rrezikuar nga erozioni detar, zona bregdetare rrezikohet nga rrëshqitjet.

Kërcënimet natyrore për shkak të veprimtarisë njerëzore:

  • Velipojë, Kune-Vain, Patok-Fushë Kuqe, Rrushkull-Gjiri i Lalëzit, Karavasta, Pishë-Poro Fier, Nartë dhe grykëderdhjet e lumenjve, rrezikohen nga erozioni bregdetar.
  • Velipojë, Kune-Vain, Patok-Fushë Kuqe, Rrushkull, Karavasta, Pishë-Poro, Fier, Nartë, Butrint, Rrushkull, Vjosë-Nartë etj., ku ushtrohet gjueti nga gjuetarë vendas dhe të huaj, mbipeshkim, peshkim i paligjshëm dhe përdorim i mjeteve të ndaluara, janë të rrezikuara nga përndjekja e shpendëve dhe kafshëve të egra.

“Marrja në konsideratë e brishtësisë që kanë këto ekosisteme dhe balancimi i aspekteve ekonomiko-sociale dhe kulturore është e domosdoshme për të siguruar elasticitetin e ekosistemeve dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të tyre. Shqipëria është pjesëtare e Konventës së Barcelonës për mbrojtjen e ekosistemeve ujore të Mesdheut dhe protokollet e saj. Në protokolle jepen direktiva për një seri procesesh bashkëpunuese, koordinuese për mbrojtjen e këtyre ekosistemeve, ruajtjen e diversitetit biologjik dhe përballimin e sfidës ndaj ndotjeve, të cilat duhet të gjejnë zbatim në hartimin e planeve të përgjithshme vendore të bashkive bregdetare, si dhe në zbatimin e tyre nëpërmjet instrumenteve të tjerë të planifikimit apo zhvillimit të territorit.”-thuhet në raport./monitor.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme