Policia në Shqipëri ka bërë të ditur se të hënën ka arrestuar një grup kriminal prej 18 personash që ka tregtuar në mënyrë të paligjshme kriptovaluta me para të gatshme, dhe anasjelltas.
Ata akuzohen për “ushtrim pa licencë të veprimtarive financiare” dhe “fshehje të të ardhurave”.
Ndaj një personi është marrë masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”, ndërsa dy shtetas të Maqedonisë së Veriut janë shpallur në kërkim.
Autoritetet kanë thënë se këta individë, vetëm apo në cilësinë e administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë dhe në Shkodër, kanë këmbyer kriptovaluta me para të gatshme, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme.
Nga kontrollet e kryera në 32 ambiente, janë sekuestruar 13 pajisje kompjuterike, 27 telefona mobilë, dhe rreth 750.000 euro, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.
Shefja e Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana, ka thënë se operacioni i koduar “USDT-1” është i pari i këtij lloji në Shqipëri.
“Për shkak të rëndësisë së madhe që paraqet goditja e kësaj veprimtarie kriminale, nisur nga shtrirja globale e saj, multinacionaliteti i autorëve, vështirësia e provimit të autorësisë dhe veprimtarisë në vetvete, hapësira virtuale e kryerjes së këtij aktiviteti, hetimi ka qenë kompleks, disamujor dhe është kryer me metoda speciale”, ka thënë Gjata.
Kriptovalutat janë para digjitale. Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.
Ato mund të përdoren, pastaj, për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to sikurse në pasuri të tjera, të tilla si aksionet apo metalet e çmueshme.
Gjana ka thënë se janë duke vazhduar hetimet për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë shtetasit e implikuar, të cilët kanë përdorur kriptovalutat si mekanizëm pagese nëpërmjet grupeve kriminale.
Shqipëria e ka miratuar qysh më 2020 kuadrin ligjor për kriptovaluta, ndër vendet e para në Evropë./rel
Hoti: Serbia po tenton ta bëjë një aneks të deklaratës për t...
Mevlan Shaba flet pas daljes nga Big Brother: Çdo gjë është ...
Kurti: Unë nuk mund të imponoj Asociacion të komunave në Rep...
“Ti më jep forcë, e megjithatë je dobësia ime”, ...
Dardanët e nisin ndeshjen me gol, shënon Muharrem Jashari
Zarf gri dhe eleminim, sonte pritet një ‘prime’ i zjarrtë në...